Gjykata Kushtetuese nuk i nënshtrohet mazhorancës, njeh mandatin e Marsida Xhaferllarit

Nga Stafi i Exit
Gjykata Kushtetuese nuk i nënshtrohet mazhorancës, njeh mandatin e Marsida Xhaferllarit

Gjykata Kushtetuese (GjK) nuk ka pranuar t’i nënshtrohet rezolutës së mazhorancës së votuar sot në Kuvend dhe ka njohur zyrtarisht mandatin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të saj.

Ditën e sotme Kuvendi miratoi një rezolutë ku i kërkonte GjK të mos njihte dekretin e Presidentit për emërimin e Zonjës Xhaferllari.

Me një njoftim për shtyp GjK ka sqaruar pozicionin duke theksuar se “i nënshtrohet vetëm Kushtetutës” se është vetëm ajo që “zgjidh mosmarrëveshjet dhe bën interpretimin përfundimtar të saj” dhe asnjë institucion tjetër:

“[…] lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi, GJK sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.”

Në këto kushte, GjK thotë se si institucion i pavarur “është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”.

Nëse në këtë njoftim për shtyp, nga GjK lihej vetëm të kuptohej se Arta Vorpsi, si e vetmja e pa-betuar para Presidentit, nuk njihej si anëtare, në një njoftim tjetër thuhej edhe më qartë.

Njoftimi i bërë publik pak më vonë deklaronte anëtarët e GjK, të cilët përmbushin kriteret për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Aty përmendej qartësisht emri i Marsida Xhaferllarit dhe jo i Arta Vorpsit.

Në dhjetor zgjidhet KED i ri dhe në përbërje do të ketë 2 anëtëarë nga GjK, e cila ka reshtuar këto emra:

  1. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
  2. Besnik Muçi, gjyqtar;
  3. Elsa Toska, gjyqtare;
  4. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;
  5. Fiona Papajorgji, gjyqtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>