Gjykata Kushtetuese pranon të shqyrtojë ligjin special të Teatrit Kombëtar

Nga Redaksia
Gjykata Kushtetuese pranon të shqyrtojë ligjin special të Teatrit Kombëtar

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e Presidentit Meta për të shfuqizuar ligjin special që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimi të kullave në pronën publike.

Për këtë arsye, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese i ka kërkuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë e Tiranës të japin argumentet e tyre për se kanë hartuar dhe miratuar këtë ligj special. Afati që kanë këto institucione për të kthyer përgjigje është 22 janari.

Siç Exit.al ka shpjeguar më parë, ligji ‘special’ për Teatrin Kombëtar është në shkelje të Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Për këtë arsye, në korrik 2018, Presidenti Meta nuk e dekretoi ligjin dhe e ktheu atë në parlament. Por shumica socialiste e miratoi atë sërish, duke hedhur poshtë dekretin e presidentit.

Më pas, më 25 korrik 2019, Presidenti Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur antikushtetues ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Për shkak të mosegzistencës së Gjykatës Kushtetuese, kërkesa e presidentit Meta nuk ishte shqyrtuar ende.

Sot Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë, mjaftueshëm sa për të mbledhur Kolegjin e Gjykatës Kushtetuese prej 3 anëtarësh, që pranon çështjet që do të gjykohen.

Ndërkohë që për të gjykuar çështjet duhet që Gjykata Kushtetuese të ketë të paktën 6 anëtarë. Aktualisht janë në procedurë zgjedhjeje 2 anëtarë: një nga presidenti dhe një nga kuvendi. Ata pritet të zgjidhen brenda janarit 2020.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>