Gjykata Kushtetuese pranon të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit

Nga Exit News
Gjykata Kushtetuese pranon të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit

Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë çështjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të kërkuar nga kryetarja e Shoqatës së Kryebashkiakëve të Shqipërisë, Voltana Ademi.

Ademi, e cila është e vetmja kryebashkiake e dalë nga zgjedhjet e vitit 2015 që mbetet në detyrë, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 18 korrik 2019. Ajo kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit pasi ato u mbajtën pavarësisht dekreteve të Presidentit Ilir Meta që i kishte shtyrë ato për më 13 tetor.

Presidenti i shtyu zgjedhjet pasi opozita i kishte bojkotuar ato me pretendimin se qeveria nuk garantonte dot proces të rregullt.

Çështja për zgjedhjet e 30 qershorit është e dyta, pas asaj të Teatrit Kombëtar, që pranohen nga GjK për t’u shqyrtuar. Mediat raportojnë se deri më tani janë shqyrtuar 52 kërkesa, prej të cilave 50 nuk janë marrë parasysh.

Shqyrtimi dhe vendimi për kalimin ose jo të çështjeve në gjykim bëhet nga 3 anëtarë të Kushtetueses, por për të gjykuar duhen të paktën 6 anëtarë. Aktualisht GJK ka vetëm katër anëtarë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>