Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin e saj për mospranimin e kërkesës së ish-Kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi për rikthim në detyrë.
Zoti Roshi ankimoi në muajin janar pranë kësaj gjykate vendimin e KQZ-zë për shkarkimin e tij në bazë të ligjit të dekriminalizimit.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e shkarkoi kryebashkiakun Roshi më 29 dhjetor 2016.
Ai akuzohet se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit, siç e parashikon ligji i dekriminalizimit.
Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë, Elvis Rroshi rezulton i dënuar në Itali për veprën penale të përdhunimit në grup, për trafik droge dhe pastrim parash.
Vendimi gjykatës i hap rrugë organizimit të zgjedhjeve të reja vendore në Kavajë.
Sipas nenit 10 pika 3 të Kodit Zgjedhor dhe në bazë të nenit 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga zbardhja e vendimit të Gjykatës kushtetuese.