Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për drejtuesin e automjetit, i cili përplasi për vdekje një 10 vjeçare, në 17 janar.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Njazi Meka”. Vajza fillimisht është dërguar në spital ku ka ndërruar jetë më pas.
Guri u largua nga vendngjarja duke mos i dhënë ndihmën e parë vajzës. Por më pas, ai u arrestua nga policia dhe u zbulua se po i jepte makinës në gjendje të dehur.
Prokuroria akuzon Gurin për “aksident me pasojë vdekjen” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.
Në njoftimin e Policisë thuhet:
“Më datë 17.01.2021, rreth orës 12:30, në rrugën “Njazi Meka”, mjeti me drejtues A. G., ka aksidentuar këmbësoren e mitur me iniciale A.P., 10 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në spital”.
Gjatë vitit 2020 kanë ndodhur 6,248 aksidente, duke shkaktuar 159 viktima.
Të dhënat e publikuara nga Urgjenca Kombëtare, tregojnë se çdo ditë të vitit të kaluar kanë ndodhur mesatarisht 106 aksidente. Një person ka humbur jetën çdo dy ditë si pasojë e tyre.