Ish-Kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, pritet të fitojë lehtësim të masës së sigurisë. Balkan-Web raportoi sot se shefja e protokollit në Bashkinë Vorë ka ndryshuar dëshmi dhe të hënën gjykata pritet të lehtësojë masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.
Shpallja në kërkim dhe masa e arrestit me burg iu vendosën zotit Kajmaku pas kallëzimit të bërë nga ish-nënkryetarja Laureta Omeri. Kjo e fundit e kallëzoi me pretendimin se ai e kishte shkarkuar në shkelje të ligjit duke falsifikuar dokumente dhe duke ushtruar funksionin edhe pse i ishte hequr mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Exit News rendit kronologjinë e çështjes Kajmaku:
5 gusht – Agim Kajmaku betohet si Kryetar i Bashkisë Vorë
22 gusht – PD denoncoi se Kajmaku kishte fshehur një ndjekje penale për falsifikim parash në Greqi
29 gusht – PD publikoi dokumenta që konfirmonin pretendimet
13 shtator – Gjykata e Janinës shpall të pafajshëm Kajmakun për akuzën e falsifikimit të parave
28 tetor – Prokuroria konfirmoi pretendimet e PD-së
1 nëntor – KQZ shkakron Kajmakun për shkelje të ligjit të dekriminalizimit
6 nëntor – Kajmaku kallëzohet për falsifikim dokumentash në shkarkimin e ish-vartësve të tij
11 nëntor – Prokuroria lëshon urdhër arrest për Kajmakun
12 nëntor – Gjykata e Tiranës vendos arrest me burg në mungesë
16 nëntor – Kajmaku apeloi vendimin dhe masën e sigurisë
21 nëntor – Gjykata e Apelit lë në fuqi të njëjtën masë dënimi
Prej 11 nëntorit zoti Kajmaku është në arrati. Për arrestimin e tij dështuan dhjetëra aksione policore të cilat dyshohen se u dekonspiruan.
Mediat kanë raportuar se në nëntor 7 punonjës policia u vunë për verifikim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.
Lufta politike brenda PS-së në Bashkinë Vorë
Çështja ndaj Zotit Kajmaku lidhet me faktin se ai shkarkoi dy nënkryetarët Hekuran Brahimaj dhe Laureta Omeri dhe emëroi vetëm një nënkryetar, ish-sefin e kabinetit Gent Picarin. Mediat analizuan se kështu ai ia bëri të detyrueshëm Këshillit Bashkiak ngarkimin me detyrë një të besuari të tij dhe jo një prej personave që kishin mbështetje prej Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.
Gazetarja e Abc-News, Esiona Konomi ka raportuar se zonja Omeri ishte e rekomanduara nga Ministrja Balluku për të marrë detyrën pas largimit të Kajmakut. Zonja Balluku është e deleguara e Partisë Socialiste për Vorën.
Sipas gazetares Konomi, këtë lëvizje zoti Kajmaku e ka bërë mëngjesin e 1 nëntorit, përpara se KQZ ta bënte publike shkarkimin e tij. Mirëpo më 6 nëntor ai u kallëzua nga ish-nënkryetarja Laureta Omeri për “falsifikim dokumentash” dhe “ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.