Seanca e dytë statusore në çështjen kundër e ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të zhvillohet më 17 dhjetor, në orën 11:00.
Gjykata speciale në Hagë njoftoi datën të mërkurën, në faqen e tyre të internetit.
Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve pritet t’i dërgojnë gjyqtarit pozicionet e tyre në datat 14-15 dhjetor.
Gjykata ka caktuar edhe seancën e tretë për një tjetër të akuzuar, ish-komandantin Salih Mustafa, për në datën 14 dhjetor, ora 15:00.
Gjykata konfirmoi aktakuza për krime luftë ndaj ish-krerëve të UÇK-së më 26 tetor. EULEX i arrestoi ata më 4-5 nëntor dhe i dërgoi në Hagë, ku gjendet gjykata e Kosovës. Seancat e para ndaj tyre u mbajtën në 9 dhe 11 nëntor.