Gjykata e shkallës së parë ka pushuar sot çështjen e Agron Tufës ndaj deputetit socialist Spartak Braho. Në muajin prill, drejtori i ISKPK, Agron Tufa paditi për shpifje dhe fyerje deputetin Spartak Braho, ish-ministrin Sabit Brokaj dhe gazetën Dita.
Gjyqtari i çështjes Sokol Pasho, argumentoi se prokura ndaj avokatit të zotit Tufa nuk përmbushte kriteret ligjore të përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale. Sipas gjyqtarit prokura nuk ishte nënshkruar as nga zoti Tufa dhe as nga avokati i tij dhe kështu çështja nuk mund të gjykohej.
Drejtori Tufa ka patur përplasje, sidomos me deputetët socialistë, ndërsa ka mbështetur padinë ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, i akuzuar për dhunë sistematike ndaj ish-të burgosurve.
Tufa ka marrë disa kërcënime për jetën për shkak të punës së tij që përfshin hetimin, studimin dhe publikimin e informacioneve mbi ekzekutimet jo gjyqësore të kryera nga forcat komuniste. Puna e tij ka shkaktuar zemërim tek Partia Socialiste, veçanërisht tek deputeti Spartak Braho i cili ishte anëtar i sistemit gjyqësor gjatë diktaturës komuniste.
Së fundmi, ai kërkoi azil në Zvicër për veten, gruan dhe pesë fëmijët e tij.