Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen për nënkryetarin e bashkisë Arbian Mazniku dhe sipërmarrësin Shkëlqim Fusha, të akuzuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sipas gjyqtarit Sokol Tona, asnjë prej të akuzuarve nuk ka bërë vepër penale.
Disa muaj më parë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paditi Maznikun dhe Fushën për korrupsion, pasi ky i fundit pagoi 1800 euro për dy netë fjetjeje të Maznikut në Barcelonë.
Fusha është firma më e përfolur për të përfituar tenderin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Ajo është kompania që do të përfitonte nga projekti i bashkisë për të shembur teatrin dhe dhënë gjithë tokën përreth tij për ndërtim kullash.
Pagesa e faturave të hotelit për Maznikun lë vend për dyshime se Fusha mund të favorizohet nga bashkia Tiranë.
ATM paralajmëroi se do ta apelojë vendimin e gjykatësit Tona.
Në dhjetor 2019, prokuroria e Tiranës ka mbyllur dhe hetimet për çështjen e pagimit të qëndrimit në hotelin luksoz në Spanjë të Maznikut nga kompania Fusha shpk, pa sqaruar arsyet.