Gjykata e Tiranës pushoi sot çështjen e Partisë Demokratike në lidhje me lobimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017.
Në dalje nga gjykata, Eduart Halimi, në cilësinë e avokatit tha se vendimi i gjykatës “ishte për t’u përshëndetur pasi pas 2 vitesh i jepet fund një gjuetije shtrigash”.
“Vendimi i sotëm i gjykatës ishte vendim drejtësie. U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërcipërisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje PD-së dhe nuk kishte asnjë vepër penale.
Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga PD-ja dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër. U vërtetua katërciprisht se vepra penale nuk ekzistonte, fakti nuk ekziston, dhe vendimi i sotëm është një vendim për tu përshendetur. Pra, ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj PD-së”.
Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Lazër Sallaku. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u përfaqësua nga Ivi Kaso dhe Eduart Halimi.
Në qershor 2019, prokuroria ngriti akuzat “falsifikim të formularëve” dhe “kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi” ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe ekonomistit të PD-së Ilir Dervishi.
Në nëntor 2019, prokurorët e çështjes vendosën të rrëzojnë akuzën për mosdeklarim të të ardhurave dhe kanë dërguar për gjykim vetëm për falsifikimin e formularëve. Hetimet u kryen nga prokurorët Gjergj Tako, Ervin Karanxha dhe Kol Hysenaj.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se vetëm dy nga tre prokurorët e çështjes e kanë firmosur dosjen për në gjykatë, ndërsa prokurori Hysenaj nuk firmosi.