Gjykata shkarkon të besuarin e Kajmakut, kthehen nënkryetarët e shkarkuar të Bashkisë Vorë

Gjykata shkarkon të besuarin e Kajmakut, kthehen nënkryetarët e shkarkuar të Bashkisë Vorë

Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryetarit të Bashkisë Vorë, Gentian Picarin, emëruar nga ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku, në shkelje të ligjit.

Gjykata ka pranuar kështu padinë e dy zëvendëskryetarëve të tjerë të Bashkisë, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, të cilët e akuzonin Kajmakun për  ‘falsikim të vulave’, ‘falsifikimi të dokumentave’ dhe ‘kryerje të funksionit shtetëror pas përfundimit të afatit’.

Sipas vendimit të Kajmakut, më 31 tetor 2019, ai shkarkoi 2 nënkryetarët, të quajtur nga media si të deleguar të PS-së në Vorë, dhe emëroi si nënkryetar të vetëm Gentian Picarin, ish-shefin e kabinetit dhe të besuarin e tij.

Mëngjesin e 1 nëntorit Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi shkarkimin e Agim Kajmakut për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Më 6 nëntor Kajmaku u kallëzua nga ish-nënkryetarja Laureta Omeri për “falsifikim dokumentash” dhe “ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

Pas hetimeve prokuroria gjeti se Agim Kajmaku në të vërtetë, e ka emëruar Gentian Picarin si nënkryetar dhe ka shkarkuar dy nënkryetarët e tjerë mëngjesin e 1 nëntorit, pasi ishte shkarkuar nga detyra dhe më pas ka ndërhyrë në librin e protokollit të bashkisë për të bërë të duket se vendimi është dhënë më 31 tetor.

Po ashtu, Prokuroria e Tiranës ngre dyshime se në librin e protokollit është ndërhyrë me fraksion edhe në numra të tjerë protokollik duke shpallur edhe fitues tenderësh.

“Përveç sa më sipër në librin e korrespondencës është ndërhyrë me fraksion edhe në numra të tjerë protokolli, duke shpallur fitues tenderi etj., veprime që janë bërë nga ish-kryetari i Bashkisë Vorë”, shkruan Prokuroria.

Prej 11 nëntorit zoti Kajmaku është në arrati, ndërkohë që Gjykata e Apelit ka dhënë masën arrest me burg në mungesë. Për arrestimin e tij dështuan dhjetëra aksione policore të cilat dyshohen se u dekonspiruan.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>