Gjykata Supreme e Kosovës nuk ka lejuar kandidimin e Albin Kurtit, kreut të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Vendimi u mor të premten, pas ankimimit të Vetëvendosjes së vendimit të PZAP-së për të përjashtuar nga gara kandidatët e dënuar për një vepër penale në 3 vitet e fundit.
KQZ përjashtoi nga gara 5 kandidatë të Vetëvendosjes:
- Albin Kurti, njëkohësisht dhe kandidat për kryeministër,
- Liburn Aliu,
- Labinotë Demi Murtezi,
- Albulena Haxhiu,
- Bajram Mavriqi.
Gjykata ka lejuar kandidimin e Aliu dhe Murtezit, ndërsa për Kurtin, Haxhiun dhe Mavriqin ka vendosur moskandidimin.
Gjykata vlerësoi se PZAP-ja ka llogaritur gabim afatin 3 vjeçar.
Gjykata sqaroi se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke iu referuar datës së vendimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, 14 shkurt 2021.
Albin Kurti u dënua për ‘përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’, në 3 janar 2018, nga gjykata e Prishtinës.
Më pas në shtator 2018, Gjykata e Apelit të Prishtinës la në fuqi dënimin e tij.
Sipas ligjit dhe vendimit të gjykatës, Kurtit i lejohet kandidimi pas 18 shtatorit 2021.