Qeveria shqiptare ka zhvilluar 30 për qind të prokurimeve publike pa garë, por nëpërmjet procedurës së negocimit pa shpallje paraprake, gjatë vitit 2017.
Ky është përfundimi i një raporti të Gjykatës Evropiane e Auditimit (ECA), institucioni që kontrollon financat e gjithë BE-së.
Zhvillimi i tenderëve publike pa garë, por me negocim pa shpallje mbart risk të lartë për abuzim me buxhetin e shtetit. Në këto tenderë mungon transparenca dhe gara, ç’ka bën të mundur që për një shërbim të mos ketë disa oferta, nga kompani të ndryshme, me çmime të ndryshme.
Vetë Agjencia e Prokurimit Publik, për vitet e mëparshme, ka raportuar se duke përdorur procedurën me negociim, shfrytëzohet pothuaj i gjithë fondi limit i vënë në dispozicion, pasi kompanitë që hyjnë në negocim me institucionet janë të caktuara paraprakisht dhe nuk kanë asnjë shtysë që të ofrojnë shërbimet e tyre për çmime më të ulëta se sa fondi limit i tenderit.
Po ashtu, Gjykata Evropiane e Auditimit vë në dukje se kuadri ligjor shqiptar i prokurimeve publike ende nuk është përafruar me atë evropian, madje nuk është as në një linjë me strategjinë e qeverisë për menaxhimin financiar.
Legjislacioni shqiptar për prokurimet publike lejon përdorimin e procedurës me negocim vetëm në raste “emergjence”, por Gjykata Evropiane e Auditimit vlerëson se ligji nuk ka përkufizime shumë të qarta për rastet e emergjencës, ç’ka lë vend për abuzime nga ana e institucioneve.
Ndër të tjera, GJEA i rekomandon qeverisë shqiptare që të harmonizojë ligjin, jo vetëm me atë evropian, por dhe me legjislacionin e menaxhimit financiar të shqipërisë. Po ashtu, një tjetër rekomandim që shërbën për rritjen e transparencës ndaj qytetarëve është vënia në punë e një sistemi elektronik për prokurimet publike me negocim.