Gjyqi me Ramën – Ylli Rakipi akuzon Kryeministrin për presion ndaj gjyqtarëve

Nga Exit News
Gjyqi me Ramën – Ylli Rakipi akuzon Kryeministrin për presion ndaj gjyqtarëve

Gazetari Ylli Rakipi dhe avokati i tij Dorian Matlija akuzuan sot Kryeministrin Rama se po ushtron presion ndaj gjyqtarëve.

Rakipi është paditur nga Kryeministri për cenim të figurës. Gazetari u shpreh sot në dalje nga gjykata se Kryeministri refuzon të paraqitet për t’u përballur me çështjen, ndërsa nga foltorja e parlamentit zotohet se do t’i fitojë të gjitha gjyqet.

“Unë kam dy procese me kryeministrin, më akuzon se e kam fyer, pasi u thotë të gjithë gazetarëve kadri, kazan, etj. Bashkë me avokatin jam në një nga seancat e radhës me Kryeministrin Edi Rama. Ka një të re të rëndësishme në këto procese gjyqësore të Ramës. Ai ka thënë nga foltorja e Kuvendit, se do t’i fitojë të gjitha gjyqet, sikur të jetë ai vetë gjyqtari. Ai ka në dorë gjyaktat dhe vettingun, por gjykatat shqiptare nuk janë të vetmet që gjykojnë, ne do të shkojmënë deri në Strazburg”.

Avokati i Rakipit, Dorian Matlija, tha se deklaratat e Kryeministrit e vendosin Gjykatën nën presion.

“Procesi gjyqësor është në fazën përgatitore. Janë dy padi, të cilat janë bërë nga Kryeministri, dy prej shumë padive që ka hapur për shumë personalitete. Deklarata që ka bërë nga Kuvendi, është e pavend, e ka theksuar edhe Gjykata Eruopiane e të Drejtave të Njeriut në çështje të mëparshme. Këto deklarata e vendosin gjykatën nën presion. Kjo mazhorancë e ka bërë vazhdimisht, presion ndaj gjyqësorit.

[…] gjyqtarët janë nën presionin e vettingut. Synimi ynë është ta zgjidhim cështjen deri në Gjykatën e Strasburgut. Sido të sillet kryeministri, ne do të bëjmë veprimet e duhura. Ky njeri ka dalë hapur të sfidojë gjyqësorin”.

Gjatë 2 viteve të fundit gazetarët shqiptarë janë përballur me sulme. Një numër i madh gazetarësh janë kërcënuar, sulmuar, frikësuar, apo janë përballur me çështje gjyqësore.

Ylli Rakipi është në gjyq pasi ka kritikuar shpesh qeverinë përmes emisionit dhe portalit të tij “Të Pa Ekspozuarit” gjë që ka nxitur reagime të shpeshta nga Kryeministri duke e kthyer në çështje personale me shënjestrime dhe etiketime direkte. News24 vendosi t’ia mbyllë emisionin në gusht 2019 – bashkë me emisionin e tij u mbyll edhe ai i Adi Krastës “A Show” gjithashtu kritik i qeverisë.

Mbyllja e emisioneve u kritikua nga Këshilli i Evropës. Një sondazh ka treguar se për gazetarët shqiptarë qeveria është kërcënimi më i madh për lirinë e medias, në veçanti ndërhyrja politke dhe frika nga humbja e vendit të punës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>