Qeveria nuk do të paguajë asgjë për gjyqin e Francesco Becchetit deri në një vendim të formës së prerë. E ftuar në emisionin, Open, në Top Channel, ministrja e Financave Anila Denaj u shpreh se:
“Në momentin që të gjitha gjykatat do të vendosin, kur të vendoset që do të paguhen, do të paguhen. Gjoba nuk është fjala e duhur, ato janë detyrime. Buxheti i shtetit i paguan. Ne tani jemi në proces apelimi”.
Shteti shqiptar duhet t’i paguajë 111 milionë euro biznesmenit italian Francesco Becchetti dhe ortakëve të tij për shpronësim të padrejtë të investimeve të tyre në një televizion privat.
Vendimi është marrë më 24 prill 2019 nga Gjykata e Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) pranë Bankës Botërore. Vendimi nuk është ende publik, por lajmin e ka njoftuar Laë-360, një portal amerikan i fokusuar në fushën e drejtësisë.
Sipas vendimit të ICSID, qeveria shqiptare, me vendimet e saj, ka shkatërruar investimet e bëra nga Becchetti dhe ortakët e tij në shoqërinë mediatike Agon Set, pjesë e të cilit ishte dhe televizioni Agon Channel.
Beccheti ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Shqipërisë në Austri, deri në likujdimin e detyrimit nga shteti shqiptar.