Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i konsideroi sulmet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit si ndërhyrje në pushtetin gjyqësor. Në deklaratën e djeshme ata u shprehën se sulme të tilla nga funksionarë të shtetit cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjellin me shqetësim qendrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve.
Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë” shkruhet në deklaratën e tyre.
Gjyqtarët theksuan se qëndrimi i kryeministrit në një kohë kur po zbatohet reforma në drejtësi sjell pasoja të dëmshme.
“Ndërsa qendrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën.”
Gjithashtu ata i bënë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucionet ndërkombëtare të reagojnë lidhur me sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit.”
Gjatë ditëve të fundit, si Kryeministri Rama ashtu edhe Zëvendës Kryeministri Erion Braçe kanë rritur sulmet ndaj gjyqësorit pas një sërë vendimesh që ata konsideruan “kriminale”.Dy ditë më parë kryeministri Rama quajti disa gjyqtarët dhe prokurorë “grupin më të madh kriminal, të cilët nuk kalojnë dot vetingun.”