Gjyqtarët shqiptarë i kërkojnë Komisionit të Venecias të ruajë në Opinionin përfundimtar të gjitha gjetjet dhe rekomandimet që Komisioni ka bërë në draftin paraprak të Opinionit.
Edhe pse nuk shprehen direkt, ata nënkuptojnë se janë të shqetësuar se drafti përfundimtar mund të ndryshojë si pasojë e trysnisë nga qeveria shqiptare apo Komisioni Europian.
Dy shoqatata kryesore të gjyqtarëve, Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtarë e Gjyqtarëve, i kanë drejtuar një letër Komisionit të Venecias në të cilën vlerësojnë draft rekomandimet.
Shoqatat shprehen se se zbatimi i këtyre rekomandimeve do të garantojë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe mbrojtjen e jetës personale e familjare të magjistratëve.
Në një draft opinion në lidhje me procesin e vetingut, lëshuar me kërkesë të shumicës socialiste parlamentare, Komisioni i Venecias ka kritikuar direkte një sërë rregullash e procedurash të ndjekura në procesin e vetingut të magjistratëve.
Në mënyrë të veçantë Komisioni ka theksuar mungesën e afateve të arsyeshme për paraqitjen e prova për pasurinë; apo hapësirat e mëdha për interpretimin të procedurave të vlerësimit, çfarë lë hapësirë për ndikim politik.
Në draft opinion, Komisioni është shprehur se në disa raste këto probleme mund të kenë krijuar pasoja serioze dhe sugjeron rihapjen e vetingut për raste të caktuara magjistratësh të përjashtuar nga sistemi.
Qeveria shqiptare dhe Komisioni Evropian, të cilët janë hartuesit e reformës në drejtësi, kanë treguar deri tani mungesë totale gadishmërie për të pranuar kritika dhe bërë përmirësime, pavarësisht disa dështimeve serioze të reformës, përfshi mbetjen e vendit pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese prej më shumë se dy vjet, çfarë ka sjellë pasoja negative direkte për qytetarët.
Për këtë arsye, gjyqtarët mendojnë se qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian do të bëjnë presion për të ndryshuar gjetjet dhe rekomandimet e tyre në variantin përfundimtar të raportit.
Ky shqetësim i tyre duket i bazuar.
Disa persona të përjashtuar padrejtësisht nga vetingu, që e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut, u shprehën për Exit News se qeveria shqiptare dhe Komisioni po ushtrojnë presion direkt mbi Gjykatën e Starsburgut për të ndikuar vendimet e saj në favor të qeverisë.
Exit News ka mundur të lexojë opinionet e qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian në përgjigje të pyetjeve të ngritura për ta nga Gjykata e Strasburgut në lidhje me procesin e vetingut dhe konfirmon se qendrimet e të dy institucioneve janë krejtësisht refuzuese ndaj çdo lloj kritike se aspekte të reformës mund të kenë patur probleme në planikim dhe zbatim.
Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias pritet të miratohet dhe publikohet në javët e ardhshme.