Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit të figurës, vettingut.
Vendimi për gjyqtaren Tusha u dha sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Vitore Tusha është e para gjyqtare që kalon vetingun. Nga dy gjyqtarët e mëparshëm që iu nënshtruan vlerësimit, asnjë nuk vazhdoi detyrën: Besnik Imeraj dha dorëheqjen, ndërsa Fatos Lulo u shkarkua nga detyra pasi nuk mundi të justifikojë pasurinë.
Një ditë më parë, më 4 prill, u zhvillua seanca dëgjimore ku Komisioni vlerësori deklaratat e pasurisë dhe mori në pyetje gjyqtaren Tusha.
Gjyqtarja u vlerësua pozitivisht për analizën e pasurisë, kontrollin e figurës dhe aftësitë personale. Sipas raportit të lexuar gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja nuk kishte probleme me deklaratat e pasurisë; Inspektoriati I Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk kishte vërejtje për aftësinë e saj profesionale; dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e vlerësoi gjyqtaren të përshtatshme për të vazhduar detyrën në sistemin e drejtësisë.