Pak ditë më parë policia italiane arrestoi 14 marokenë dhe tre italianë, të cilët kishin ngritur një vend të shitjes me shumicë të hashashit në periferi të Torinos. Droga, e një cilësie shumë të mirë, vinte direkt nga Maroku dhe shitej tek shpërndarësit e vegjël me 5 euro për gram. Pika e shitjes ishte bërë shumë e njohur ndërmjet shpërndarësve torinezë.
Më e çuditshmja ndodhi kur policët hynë në vendin e fshehtë dhe gjetën aty një blerës që po kryente blerjen e radhës, i cili u arrestua menjëherë. Blerësi ishte një zonjë italiane 75 vjeç, e cila sapo kishte blerë 4 kilogramë hashash — pak si shumë për përdorim personal.
Ky fakt shpjegon shqetësimin e policisë italiane për fluksin e lartë të drogës së administruar nga emigrantët në Itali — kryesisht emigrantët marokenë dhe shqiptarë — dhe për numrin e rritur të klientëve, të cilët të prekur nga kushtet e këqija ekonomike në të cilat ndodhet Italia, veçanërisht periferia e Italisë, po përfshihen gjithmonë e më shumë në këtë biznes të paligjshëm.