Goditja kundër Adriatik Llallës, “drejtësi” fallco

Goditja kundër Adriatik Llallës, “drejtësi” fallco

 

Prej disa ditësh në media janë “rrjedhur” informacione për një hetim ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla me pretendimin e krimeve lidhur me shitblerje tokash dhe transaksione financiare. Informacionet nuk kanë asnjë burim të identifikuar, por i referohen në përgjithësi burimeve konfidenciale.

Lajmi në disa raste është shoqëruar me sulme ndaj Llallës dhe lavde ndaj reformës në drejtësi. Nisur nga profili i lartë i Adriatik Llallës në disa raste lajmi ka patur nota gati triumfale, si një ngjarje kthesë në historinë moderne të Shqipërisë.

Vetëm se lajmi është fallco dhe akuzat e përmendura ndaj Llallës janë ende hamëndësime—deri sot nuk ka asnjë hetim zyrtar për Adriatik Llallën nga asnjë zyrë prokurorie. Exit.al iu drejtua prokurorisë së Durrësit, si prokuroria e përfolur që ka nisur hetimet, dhe mori përgjigjen se nuk ka asnjë hetim të regjistruar ndaj Adriatik Llallës.

Ndërkohë një burim nga sistemi i prokurorisë, i cili foli me kushtin e ruajtjes së anonimatit, pohoi se prokuroria “është nën trysni” të madhe nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku dhe përfaqësues të huaj në Tiranë për të kontrolluar çdo aspekt të veprimtarisë publike dhe private të Adriatik Llallës, me qëllim hapjen me çdo kusht të ndonjë hetimi kundër tij.

Nën këtë trysni, burimi shprehet se është çështje ditësh para se të sajohet një hetim ndaj Llallës edhe pse nuk ka asnjë fakt apo tregues që mund të krijojë dyshime të arsyeshme për shkelje ligjore prej tij. Exit.al ka hetuar çështjen e shitblerjes së pronave nga Llalla, bazuar në informacionet dhe dokumentet publike, përfshi deklarimet e pasurive të Adriatik Llallës, sqarimet nga vetë Llalla për pyetjet që ne i bëmë. Gjetjet tona janë paraqitur më poshtë.

Shitblerja e pronave

Çështja për të cilën media kanë pretenduar se po hetohet Adriatik Llalla ka të bëjë me blerjen e shitjen e një sipërfaqeje toke në periferi të qytetit të Tiranës, dhe pastaj blerjen e një tjetër sipërfaqeje toke bujqësore në një fshat disa kilometra larg Tiranës.

Shitblerja e parë  

Në janar 2007 Adriatik Llalla, në atë kohë prokuror në prokurorinë e Tiranës, bleu 3 mijë metra katrorë tokë në Mjull-Bathore—në një zonë në pjesën e sipërme të një kodre mbi rrethrrotullimin e tanishëm të TEG-ut, në krah të djathtë në drejtim të Elbasanit. Llalla e bleu këtë sipërfaqe toke për 2 milionë lekë, pra, me çmim afërsisht 6,7 dollarë për metër katror. Ky çmim është i përafërt me çmimin me të cilin janë blerë toka në të njejtën zonë—Exit.al ka parë të paktën tre kontrata blerje toke me çmime të përafërta.

Në kohën e blerjes së tokës nga Llalla në vitin 2007, zona ishte ende zonë rurale pa asnjë zhvillim urban apo industrial. Në të vërtetë, në atë kohë nuk kishte pothuajse asnjë zhvillim urban jashtë qytetit të Tiranës, me përjashtim të restoranteve lokale dhe ndërtimeve pa leje të shtëpive të banimit.

Në vitet që pasuan, Tirana filloi të shtrihej me shpejtësi në zonat periferike të saj, veçanërisht në zonat përgjatë rrugës së Elbasanit në komunat e Saukut, Farkës dhe Lundrës. Si pjesë e këtyre zhvillimeve, zona përreth tokës së Adriatik Llallës njohu zhvillime urbanizuese, ndër të tjera nga ndërtimi i vilave, komplekseve rezidenciale dhe qendrave tregtare, përfshi TEG-un.

Si rrjedhojë e urbanizimit, në më pak se një dekadë vlera e tregut e tokave në zonë është rritur mesatarisht 10-15 dhe në zona të caktuara ku ka patur ndërtime rezidenciale mbi 30 herë. Për të reflektuar vlerat reale të këtyre pasurive, për efekte të tatimit të tyre, në tetor 2013, qeveria Rama shpalli një amnisti fiskale për rivlerësimin e pronave të patundshme: të gjithë ata që do të bënin rivlerësimin e pronave do të paguanin një taksë prej vetëm 2 për qind mbi diferencën mes vlerës fillestare dhe vlerës së rivlerësuar, në vend të 15 për qind që është taksa normale. E njejta amnisti u përsërit në vitin 2016.

Duke përfituar nga amnistia, Adriatik Llalla e rivlerësoi tokën. Ekspertët e licensuar pas dy rivlerësimeve, vendosën një vlerë 100 euro për metër katror.

Në qershor 2016, Llalla e shiti këtë pronë për 240 mijë euro, pra, 80 euro për metër katror, tek një ndërtues, i cili kishte në plan ndërtimin e një fshati rezidencial.

Ky çmim përputhet me çmimin e shitjes së tokës në atë zonë. Exit.al bëri një vrojtim të shpejtë duke pyetur në tokat pranë—tokat direkt pranë Llallës ishin të shitura—dhe zbuloi se çmimi më i ulët që ofrohej ishte 75 euro për metër katror, ndërkohë që varionte deri në 120 euro për metër katororë.

Të njejtin vlerësim të përafërt ka bërë edhe një bankë për tokën ngjitur me atë të Llallës. Një pjesë e tokës direkt poshtë asaj të Llalës është në pronësi të një sipërmarrsi i cili kishte marrë një kredi tek Alfa Bank për të ndërtuar një fshat rezidencial. Toka ishte vënë si hipotekë për të garantuar kredinë e vlerësuar me 100 euro metri katror.

Duke qenë se sipërmarrësi nuk ka arritur të shlyejë kredinë, Banka Alfa e ka sekuestruar tokën dhe përmbaruesi e ka hedhur në shitje tokën me vlerë 80 euro për metër katror.

Të gjitha veprimet e shitblerjes së Llallës—blerja, rivlerësimi dy herë dhe shitja e tokës—janë bërë me kontrata të rregullta, janë noterizuar, janë raportuar në zyrën e tatimeve dhe janë paguar të gjitha taksat përkatëse.

Exit.al mundi të shikonte dokumentat që vertetojnë se veprimet e shitblerjes janë kryer duke respektuar të gjitha procedurat dhe detyrimet ligjore. Vlen të theksohet se blerja dhe shitja e kësja toke si blerja e tokës së ëprshkruar më poshtë janë deklaruar nga Llalla pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI) dhe kanë qenë subjekt i kontrollit të tij.

Blerja e dytë 

Më vonë, nga dhjetori 2016 deri në maj 2017, Adriatik Llalla bleu përmes katër kontratave të veçanta rreth 24 mijë e tre qind metra katrorë tokë në fshatin Qeha-Shytaj, një zonë rurale në juglindje të Tiranës, në të cilën nuk ka asnjë zhvillim urban.

E gjithë sipërfaqja u ble për një shumë totale prej 15 milionë e 930 mijë lekë, pra afërsisht 6,6 dollarë për metër katror. Ky çmim përputhet me çmimin e shitjes në zonë. Pranë tokës së blerë nga Llalla, kanë blerë gjithashtu tokë edhe një ministër aktual i qeverisë Rama dhe një sërë figurash të tjera publike që i nënshtrohen ligjit të deklarimit të pasurive. Çmimi me të cilin ato kanë blerë është i barabartë ose më i ulët nga ai me të cilën e ka blerë tokën Adriatik Llalla.

Blerjet janë bërë me kontrata të rregullta, të noterizuara dhe të deklaruara. Pas blerjes, Llalla ka rivlerësuar rreth 4 mijë metra nga mbi 23 metrat që ka në pronësi.

Propaganda

Korrespondetja shqiptare e Deutsche Welle (DW) ishte e para që botoi, më 25 mars 2018, në faqen shqip të DW-së lajmin fallco të fillimit të hetimeve ndaj Llallës. Është rast jo shumë i zakont kur një korrespondente e mediave të huaja, aq më tepër media publike, bën hetime dhe jo thjesht raportim. Por edhe pak i shpjegueshëm është fakti se lajmi fallco mbi hetimin e Llallës është përfshirë në një artikull të gjatë që ngjan me një pamflet propagandistik dhe politik sesa me informim gazetaresk.

Artikulli nuk citon burime për informacionet që përcjell, përzjen opinionet me raportimin, bën akuza të paqena, si dhe përdor një gjuhë të ngarkuar emocionale, ndër të tjera duke përdorur cilësorë siperorë. Për shembull, autorja është shprehur se Llalla po hetohet nën akuzën “pastrim parash në përmasa të mëdha”, çfarë është qesharake, pasi jo vetëm është fakt që Llalla nuk akuzohet për pastrim parash, por cilësimi “në përmasa të mëdha” nuk përmendet askund në Kodin Penal të Shqipërisë. Po ashtu autorja flet “transaksione financiare me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda” çfarë është gjithashtu lajm fallco.

Fakti që artikulli, i titulluar “Vetingu ndez motorët e drejtësisë”, i thur lavde vetingut dhe reformës në drejtësi pa përmendur as kalimthi një sërë problemesh të antikushtetueshmërisë dhe dështimeve të tjera në zbatimin e reformës në drejtësi është gjithashtu tregues i njëanshmërisë së tij.

Është e qartë se informacioni dhe qasja i është servirur korrespondentes nga të tjerë. Vetë ajo në artikull i referohet, ndër të tjera, “burimeve diplomatike” në Tiranë. Me të vërtet, një burim nga prokuroria u shpreh për Exit.al se e gjithë kjo fushatë hetimore dhe publike kundër Llallës është e sponzorizuar nga një ambasadë e huaj në Tiranë, e cila ka kontroll të plotë mbi prokurorinë dhe sistemin e drejtësisë në vend

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>