Ndryshe nga 8-Marset e tjera, këtë vit gratë në Tiranë do të protestojnë për të drejtat e tyre.
Sot më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri do të organizojë një protestë-marshim për të ndërgjegjësuar qytetarët për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore.
Marshimi do të nisë në orën 10:30 tek Kodrat e Liqenit, dhe më pas do të vijojë përgjatë Digës së Liqenit.
Me pas, në pjesën e dytë të MARShimit, një grup aktivistësh do ecin drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit për të kërkuar së bashku më shumë vëmendje institucionale ndaj problematikave që prekin vajzat e gratë çdo ditë në Shqipëri.
Duke marrë parasysh dhe vrasjet e shumë grave ndodhur muajt e parë të 2020-ës, ky marshim do të ketë në fokus dhe ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave dhe kundër femicidit, vrasjes së tyre.
Shtatë gra janë vrarë vetëm në 2 muajt e parë të vitit 2020. Disa prej tyre kishin dhe urdhër-mbrojtjeje nga gjykatat kundër bashkëshortëve të tyre, por kjo nuk i ka mbrojtur dot.