Richard Grenell, i dërguari i Presidentit Amerikan Trump për dialogun Kosovë-Serbi, theksoi në një postim në Twitter se takimi i ndërmjetësuar dje në Shtëpinë e Bardhë mes presidentëve Thaçi e Vuçiç “nuk është ngutje” dhe se nuk ka ende asnjë marrëveshje mes palëve.
Grenell iu përgjigj në Twitter, komentit të gazetarit të BIRN Tim Judah, i cili ndante opinionin se:
“Pas takimit në Washington mes Thaçit dhe Vuçiçit, mund të ketë ngërç në dialogun Kosovë-Serbi. Grenell dhe njerëzit e Trumpit do të donin të lëviznin shpejt drejt një marrëveshje të madhe. Por problemi është se Thaçi nuk përfaqëson shumicën, shumica mbetet në Kosovë.”
Përgjigjja e përfaqësuesit të SHBA-ve ishte se opinioni i Judah ishte i pavend:
“Gabim. Nuk e din se për çfarë je duke folur. Askush nuk po përpiqet të lëvizë ngutshëm dhe nuk ka marrëveshje te madhe. Ti po trillon gjëra!”
Më herët gazetarit Judah i qe përgjigjur edhe Vlora Çitaku, Ambasadore e Kosovës në SHBA, e cila u shpreh se burimet e analizës së tij ishin të pasakta.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi të hënën një takim me Presidentin Aleksandar Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë. Takimi u ndërmjetësua nga ambasadori Grenell dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien. Më vonë Thaçi i kërkoi parlamentit të raportonte rreth takimit.
Rreth 12 orë pas takimit në Serbi u deklarua se Sierra Leone kishte tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje SHBA-ve dhe BE-së, që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, pasi ajo po nëpërkëmb vullnetin e saj për dialog.