Grenell i kërkon Kosovës të heqë dorë nga reciprociteti në marrëdhënien me Serbinë

Nga Exit News
Grenell i kërkon Kosovës të heqë dorë nga reciprociteti në marrëdhënien me Serbinë

Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerëson se bisedimet Kosovë-Serbi do të rifillojnë seriozisht pasi të hiqen tarifat dhe reciprociteti.

Këtë gjë e shprehu përmes një postimi në Twitter i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për bisedimet, Richard Grenell.

“Pasi të jenë hequr tarifat/reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë bisedimet do të nisin seriozisht. Kam biseduar me udhëheqësit në Serbi dhe Kosovë për të qartësuar se duhet të fillojnë të ndërtojnë besim në përgatitje, dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë gjë. Zhvillime të tjera së shpejti.”

Nuk është qartë se me cilët nga udhëheqësit në Kosovë ka biseduar Grenell, por ai e shprehu këtë si koment të një postimi të mëparshëm të Presidentit Hashim Thaçi, ky qe shprehur në anglisht se javën e ardhshme do të shterronte rrugët kushtetuese për të zgjidhur çështjen e qeverisë së re.

Më 25 mars, pas vetëm 50 ditësh në detyrë, parlamenti i Kosovës rrëzoi me një mocion mosbesimi qeverinë e Albin Kurtit.

Mocioni ishte thirrur nga aleati i Kurtit, Isa Mustafa. Kjo solli krisjen e koalicionit qeverisës pas një periudhe përplasjesh politike rreth çështjes së heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.

Prej 1 prillit, qeveria Kurti ka hequr tarifat e vendosura prej vitit 2018 nga qeveria e Haradinajt dhe i ka zëvendësuar ato me reciprocitet ekonomik.

Ky vendim u kundërshtua nga administrata e SHBA-ve.

Prej rrëzimit në parlament, Kurti është vënë nën presion nga Presidenti Thaçi, i cili i ka kërkuar katër herë propozimin e një emri tjetër për t’i mandatuar formimin e një qeverie të re.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti këmbëngulin duke iu referuar Kushtetutës dhe rasteve të viteve 2010 dhe 2017, se Presidenti duhet të thërrasë zgjedhje të reja, ndërkohë që Thaçi është përgjigjur se zgjedhjet nuk janë të mundshme për shkak të epidemisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>