Greqia, Qiproja dhe Izraeli firmosën të enjten marrëveshje të përbashkët për projektin e gazsjellësit “EastMed”, që parashikon furnizim deri në 12 miliardë metra kubë gaz nga lindja e Mesdheut drejt Evropës. Marrëveshja kundërshtohet nga Turqia, e cila ka qenë tejet aktive në zhvillimin e rrugëve të reja të gazit për Evropën dhe sapo kishte arritur marrëveshje detare me Libinë mbi një zonë të madhe të pasur me gaz në det.
Tubacionet e projektit “EastMed” parashikohet të zgjaten rreth 2,000 kilometra nga Izraeli, Qiproja, Greqia e më pas drejt Italisë, pjesa më e madhe nën ujë.
Projekti do të kërkojë një investim prej rreth 6-7 miliardë dollarësh dhe nëse nis ndërtimin në vitin 2022 do të përmbyllet në vitin 2025.
Ai dublon projektin Trans-Anatolian (TANAP) dhe Trans-Adriatik (TAP), të cilat transportojnë gaz nga Azerbajxhani përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë drejt BE-së. TANAP është përfunduar ndërsa TAP pritet të mbyllet këtë vit.
Zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay reagoi pas marrëveshjes duke theksuar se Turqia nuk do të lejojë asnjë aktivitet që cenon interesat e saj në rajon. Në këtë pikë zoti Oktay nënkuptoi zonat detare të pretenduara prej Turqisë në Qipron Turke dhe Libi.
“EastMed” do të ketë burim rezervat e hidrokarbureve të zbuluara në detin e Mesdheut Lindor rreth Izraelit dhe Qipros. Ai lë të hapur si mundësi edhe për zbulime të mundshme të reja në Liban dhe Kretë.
Ky projekt ka ngjallur përplasje për pasuritë e energjisë dhe mosmarrëveshje të re mes Qipros dhe Turqisë, e cila ka pjesën veriore të ishullit mesdhetar dhe pretendon pasuritë detare përreth.
Turqia tashmë përballet me sanksione të Bashkimit Evropian për anijet që kërkojnë naftë dhe gaz jashtë Qipros, qeveria e së cilës në Nikosia nuk njihet nga Ankaraja.
Në nëntor Turqia arriti marrëveshje me Libinë për të eksploruar zonat e saj detare në Mesdhe për rezerva hidrokarburesh. Greqia reagoi kundër kësaj marrëveshjeje duke larguar ambasadorin libian dhe duke i kërkuar Kombeve të Bashkuara të mbanin qëndrim.