Autoritetet greke kanë vendosur masa të tjera kufizuese në vend pasi numri i rasteve ditore me COVID-19 vijon të rritet.
18 njësi rajonale në Greqi janë vendosur në “zonë të kuqe”, të cilat janë: Atika, Akai, Arcadia, Selaniku, Larisa, Lefkada (përveç Meganisi), Fthiotida, Argolida, Korinthi, Thesprotia, Arta, Samos, Boeotia, Chios, Aitos, Rodos, Heraklion dhe Evia.
Nga e enjtja në këto zona do të hyjnë në fuqi edhe masat e reja kufizuese dhe do të zgjasin deri më 16 mars.
Aktualisht në shtetin fqinj ndalohet lëvizja nga ora 21:00, deri në orën 05:00. Ndërsa në zonat ku niveli i rrezikut është përcaktuar si shumë i lartë, kufizimi nis në orën 19:00 deri në orën 05:00.
Greqia konfirmoi 2,702 infeksione të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, duke vendosur një rekord të ri në rastet ditore që nga fillimi i vitit, raportuan autoritetet shëndetësore të mërkurën.
Rajoni i Atikës, sistemi i kujdesit shëndetësor i të cilit është nën tensionin më të madh, regjistroi gati gjysmën e totalit me 1,269 raste të reja, ndërsa Selaniku raportoi 314.
Nga rastet e reja ditore, 20 u identifikuan në pikat hyrëse në vend.
Deri më tani, Greqia ka një total të konfirmuar të 197,279 infeksioneve.
40 viktima u regjistruan në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e viktimave në 6,597.