Zëvendës Presidenti i Partive Popullore Europiane (PPE) Andrey Kovatchev i ka bërë thirrje kreut të PD-së Lulzim Basha t’i rikthehet bisedimeve për reformën zgjedhore me shumicën socialiste.
Duke theksuar se veprimet e fundit të qeverisë janë të diskutueshme dhe dhuna ndaj protestuesve ‘është për të ardhur keq’ Kovatchev shkroi se partitë duhet të vazhdojnë punën për reformat e kërkuara nga BE.
Në një postim në Twitter, Kovatchev shkroi:
“Respektimi i sundimit të ligjit dhe puna e mëtutjeshme mbi 15 çështjet që duhet të monitorohen nga afër nga Komisioni Europian dhe Shtetet Anëtare.
PD-ja në Shqipëri duhet të jetë plotësisht e angazhuar në bisedime mbi reformën zgjedhore.
Aksionet e fundit e diskutueshme dhe përplasjet me protestuesit në Shqipëri janë për të ardhur keq.
Të gjithë palët e interesuara duhet të angazhohen për të gjetur një zgjidhje të pranuar gjerësisht.”
Një ditë më parë, të martën, Basha la të kuptohej me deklaratat e tij se opozita nuk do të kthehet në tryezën e reformës në drejtësi, pasi nuk do të shërbejë ‘si fasadë e shumicë socialiste e cila me veprimet e saj ndaj Teatrit kombëtar tregoi se nuk ka vullnet për bashkëpunim.”
Në mbledhjen e së hënës, një ditë pas shembjes së teatrit, përfaqësuesit e opozitës Bylykbashi dhe Vasili nuk morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore.