Grupi interesit

Nga Artan Rama
Grupi interesit

Skela në fasadë

Në 15 Shtator të vitit 2013, Edi Rama hyri në zyrë. Ai ishte i dëshiruar për të nënshkruar aktet e para të qeverisjes për të cilat kishte pritur tetë vjet në opozitë! Në shkresën e parë që nënshkroi ishte shkruar: “Kodi Etik Ministror”. E zezë mbi të bardhë përfshinte 41 nene, ndër to neni tetë “Konflikti Interesit”, parashikonte se:

Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të parandalojë, si dhe të marrë të gjitha masat për ndërprerjen e gjendjes së konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave të tij private.

Natyrisht, ky akt ishte tulla e parë në murin e fasadës kundër korrupsionit, të cilin “rilindja” socialiste po e ngrinte mbi rrënojat e një qeverisje të gjatë e të lodhur të demokratëve.

Ndonëse përgjatë tetë viteve ishin miratuar një sërë ligjesh, aktesh, ratifikuar konventa dhe dokumenta ndërkombëtare për konfliktet e interesit, ky veprim i shërbente më shumë nevojës së ethshme të kryeministrit të ri për një dukje të re e pozitive në sytë e publikut.

Ndërtimi i një perceptimi se ai ishte ndryshe nga paraardhësi, ndryshe nga çdo kryeministër i mëparshëm, madje ndryshe edhe nga çdo kryeministër i ardhshëm, ishte qendra e aksionit të tij politik.

Por le të shohim se ç’ndodhi më pas!

Në paradhomën e një zyrtari publik

Çdo fillim viti, në zyrën e protokollit të Gjykatës Kushtetuese, arkivohet një shkresë, më saktë, një urdhër. Është urdhri i parë i vitit dhe mban këtë titull: “Delegim kompetencash” dhe ka si qëllim trasferimin e kompetencës së Titullarit të Autoritetit Kontraktor, pra të Kryetarit të kësaj Gjykate, Sekretarit të Përgjithshëm, që tregon se njeriu që do të merret me procedurat e prokurimit publik (tenderat) nuk është më titullari i institucionit, por një vartës i tij!

Kryetari e di mirë punën e tij dhe pa dyshim ky është një veprim i ligjshëm, i cili i jep mundësi atij të shmangë të ashtuquajturin “konflik të interesit”, gjatë procesit të tenderimeve. Dhe për këtë kujdeset që në fillim për të qënë i qetë deri në fund të vitit.

Rasti i Gjykatës Kushtetuese është ilustrues. Përveç blerjes së ndonjë makine apo shpenzimeve operative , ky institucion nuk ka ndonjë peshë financiare ne procesin e prokurimit publik.

Por nuk bën aspak çudi, që një burokraci e tillë, e delegimit të kompetencave, është marrë nga shumica e zyrtarëve e lartë apo të mesëm shtetërorë, bashkë me anëtarët e Këshillit të Ministrave.

Rreziku qëndron se ajo çka duket një punë e paqtë, s’është veçse një iluzion, një artificë ligjore për të shmangur përgjegjësinë ligjore. Por i cili nuk garanton as parandalimin dhe as ndërprerjen e gjendjes së konfliktit të interesit.

Ligji “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit…”, parashikon disa mënyra për të zgjidhur konfliktin e interesit, por unë do të zgjedh vetëm dy, të mjaftueshme për të kuptuar thelbin: duke u vetëpërjashtuar nga procesi i cili shkakton konfliktin e interesit dhe duke dhënë dorëheqjen nga posti publik. Por, siç ndodh rëndom, eksplorimi i mundësive për t’iu shmangur një detyrimi, preferohet më shumë se sa përpjekja për ta respektuar atë.

Askush s’mund të pohojë deri më sot, nëse ekziston apo jo, një zyrtar i lartë që të ketë dhënë dorëheqjen nga posti publik në respekt të zgjidhjes së konfliktit të interesit. Përkundrazi, të gjithë janë shmangur përmes vetëpërjashtimit.

Natyrisht kjo është një shmangie e ligjshme. Por dhe parajsat fiskale të ligjshme janë, ama një ligjshmëri e cila sigurohet përmes shmangies. Njësoj si në rastin tuaj e delegimit të kompetencës nga drejtuesit publikë.

Veçse ka një problem. Qëllimi kryesor i këtij ligji është “një vendimmarrje në interes të publikut dhe të besimit të tij ndaj institucioneve”… Pra kjo përcakton frymën që përcjell ky ligj, mënyrën se si duhet zbatuar ai. Atëherë përse askush nuk zgjedh të largohet nga posti publik, për të respektuar, jo vetëm ligjin, por dhe frymën e tij? Përse të gjithë zgjedhin “të vetëpërjashtohen”?! Dhe a e garanton “vetëpërjashtimi”parandalimin apo ndërprerjen e një konfliktit të mundshëm?

Megjithëse një pjesë e titullarëve pretendojnë se ia delegojnë kompetencat vartësve, duke argumentuar se këta të fundit kanë statusin e nëpunësit civil, të cilët nuk emërohen vetëm prej tyre. Por një gjë tillë mbetet mjaft e dyshimtë, sepse dihet se askush nuk hyn në ministri pa pëlqimin e ministrit!

Sidoqoftë procesi i delegimit të kompetencave nuk i shmang përgjegjësitë e titullarit në rast se procesi nuk zhvillohet sipas standarteve të përcaktuara në ligj.

Rikthimi

Që nga koha e shpërbërjes së Bllokut Komunist, çdo qeveri në Shqipëri ka pretenduar se ka kryer reforma të mëdha. Në fund, të gjitha janë larguar si të korruptuara! Prej kohësh, raportimet në media kanë parashikuar një situatë të ngarkuar interesi!

Pak ditë më parë, Kuvendi emëroi bashkëshorten e pronarit të një shoqërie të rëndësishme ndërtimi, Znj. Gentjana Sula, si Kryetare të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit në RPSSH. Dyshimi për një ndikim të mundshëm që emërimi i Znj. Sula do të ketë në favorizimin e shoqërisë shpjegohet prej rolit që ligji i jep Znj. Sula në çertifikimin e titullarëve të institucioneve të administratës shtetërore.

Ligji thotë se asnjë ministër nuk mund të emërohet nëse nuk çertifikohet nga Kryetari i Autoritetit. Ngrihet me të drejtë një pyetje. Në çmënyrë do ta shpërfillë Znj. Sula faktin se zyrtarët e lartë mund të jenë “bashkëpunëtorë” të ardhshëm me kompaninë e bashkëshortit, kur dihet që kjo kompani është pjesëmarrëse e rregullt në proceset e tenderimeve publike.

Një tjetër rast i raportuar si konflikt interesi, referon si autoritet kontraktor Ministrinë e Kulturës e cila ka shpallur pronarin e bashkëshortit të ministres fitues të dy tenderave të zhvilluara për ndërtimin dhe rehabilitimin e dy sallave teatrore kombëtare.

Bëhet fjalë përkatësisht, për teatrin e dramës, “Skena e Re” dhe për “Teatrin e Operas dhe Ansamblit Kombëtar”. Ende nuk ka asnjë të dhënë nëse kompania e cila ka marrë përsipër zbatimin e këtyre projekteve ka ose jo përvojë në ndërtimin e sallave të mëdha teatrore!

Studio arkitekturore e cila ka hartuar projektin dhe po punon ngushtë me kompaninë në fjalë për zbatimin e tij, gjithashtu është shpallur fituese e projektit e vetme, ndërkohë që as ajo vetë nuk ka projektuar më parë ndonjë sallë teatrore të këtij niveli dhe nuk ka asnjë përvojë në akustikën dhe mekanikën e skenave teatrore të përmasave të tilla. Po le të qëndrojmë te studio në fjalë! Është fjala për studion arkitekturore “Atelier 4”. Partnere, disa herë me studion belge, “të famshmen”, 51N4E, të dyja së bashku janë raportuar në shtyp si të preferuarat e kryeministrit Rama. Kjo e fundit, që ka realizuar kullën TID dhe master planin për Sheshin “Sheshi Skënderbej”, si dhe projekte të tjera më të vogla.

Deri më sot, nuk janë mohuar pohimet publike se është pikërisht kjo studio arkitekturore që ka projektuar edhe rezidencën private të Edi Ramës në malin e Dajtit (Surrel). Ndërsa aksioneri kryesor i “Atelier 4”, Zoti Alban Eftimi ka qënë një prej bashkëpunëtorëve të Ramës në Bashkinë e Tiranës, gjatë mandatit të parë. Më pas ai themeloi studion e cila siguronte një numër të madh lejesh ndertimit të miratuara nga Këshilli Bashkiak, kur bashkia e Tiranës vazhdonte të drejtohej prej Ramës.

Me rikthimin e Ramës në pushtet në 2013-ën, edhe studios iu kthye suksesi. Tani “Atelier 4” projekton plane vendore bashkish, projekton stadiume, kopshte e çerdhe, salla teatrosh, bajpase qytetesh, madje edhe zhvillimin stratregjik të Rivierës Shqiptare! Dhe lista vazhdon! “Atelier 4” mbikëqyr projekte digash, ujësjellësash, portesh e sheshesh urbane. Një listë e pafund punësh dhe natyrisht edhe fondesh publike.

Por le të konsiderojmë të pavërtetë, gjthçka që është raportuar publikisht si marrëdhënie klienteliste mes kryeministrit dhe miqve të tij! Ka një pyetje që e ngre shumëkush.

A mundet të ekzistojë një studio, kaq komplekse, që të projektojë spitale dhe stadiume, shkolla apo salla teatrosh njëkohësisht? Sigurisht që jo! Por në Shqipëri mund të ndodh gjithçka.

Por ka edhe një tjetër dilemë: mos ndoshta janë të vetmet ekipe, që përmes projektimit të fasadave, rivitalizimit të shesheve apo zhvillimit urban të vendit në tërësi, përmbushin vizionin e këtij politikani piktor? Nëse është kështu, konkluzioni është akoma më dramatik!

“Sfera Studio”, një tjetër studio arkitekturore e specializuar për projektime dhe urbanistikë, ka marrë përsipër mbikëqyrjen e punimeve për stadiumin e ri në Tiranë. Por një prej pronarëve të studios është Artan Shkreli, pikërisht Këshilltari i Kryeministrit për Territorin.

Përsa kohë që kjo vepër është një Partneritet Publik Privat mes një kompanie private, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Shtetit, a nuk është pozicioni i këshilltarit të kryeministrit në konflikt me interesat private të Sfera Studios të cilën ai e ka në bashkëpronësi?

Sidoqoftë, fakt është se në 16 vjet, që kur Edi Rama fitoi mandatin e parë si kryebashkiak, nuk ka ndryshuar asgjë! Janë të njëjtat studio arkitekturore dhe i njëjti njeri, si dje dhe sot. Por më shumë se një marrëdhënie mes kryeministrit e miqve të tij, ky raport është një shqetësim mbi shumat e parave publike që tenderohen përmes këtyre projekteve klienteliste.

Njolla mbi fasadë

Tre vjet më parë Edi Rama premtoi të ndryshonte gjithçka. Në një vend të varfër si Shqipëria, me ekonomi e infrastrukturë të dobët, me papunësi e borxh të lartë publik, politikani piktor kishte shumë për të bërë.

Por fatkeqësisht, deri tani, puna e kryeministrit nuk ka ndryshuar shumë prej asaj të ish-kryetarit të bashkisë. Edhe sot, njësoj si dikur, po lyhen fasadat gjithandej, hapësirat dhe parqet po mbushen me kulla e beton, sikurse godinat historike po shemben për t’u bërë qendra biznesi!

Të njëjtët klientë që ishin afër e përfitonin prej tij si kryetar bashkie, i qëndrojnë pranë edhe sot si kryeministër.

Është i njëjti njeri i dobët, si atëherë përpara Fatos Nanos, dhe sot, po aq frikacak përpara Ilir Metës! Dhe më shumë arrogant, ngaqë pushteti është më i madh.

Sido që ta ngjyrosë fasadën e qeverisjes kryeministri, vështirë se mund të fshehë tiparin e saj themelor: mbrojtjen e interesave private dhe klienteliste.

Ndaj dhe në pamundësi për të ndryshuar Shqipërinë, për të mbajtur premtimet, politikani Edi Rama, iu kthye piktorit dhe në mungesë të shpresës, përmes vizatimeve me ngjyra mbi shkresat zyrtare, po na servir një shkëlqim të rremë.

Dhe s’është çudi që dhe vetë neni 8 i Konfliktit të Interesit në “Kodin Etik Ministror”, ai që ishte dhe vendimi i tij i parë si kryeministër, në ditën e parë të punës, të ketë përfunduar kush e di se në cilën ekspozitë ndërkombëtare!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>