Grupi parlamentar “Demokrat” vendosi të shkarkojë kryetaren Rudina Hajdari, duke zgjedhur Korab Litën në vend të saj.
Në një deklaratë për median, kryetari i ri Lita u shpreh se Zonja Hajdari “kishte shpërdoruar postin e kryetares së grupit” dhe për këtë, në një mbledhje ishte vendosur që ajo të largohej nga drejtimi:
“Pasi janë paraqitur të gjitha problematikat, i është kërkuar Zonjës Hajdari të tërhiqet nga drejtimi dhe të vazhdojë më detyrat e tjera që ka në mbështetjen të grupit.
Pas bërjes prezente të shpërdorimit të besimit tonë prej 6 muajsh si në aspektin organizativ, politik dhe deri tek ai ligjor, Zonja Hajdari në mënyrë verbale deklaroi dorëheqjen e saj para grupit”.
I ashtuquajturi grupi “Demokrat” përbëhet nga 9 deputetë të rinj të dalë nga listat e Partisë Demokratike, që nuk pranuan të zbatonin vendimin e partisë për të lënë mandatet.
“Pro” shkarkimit të Hajdarit votuan 7 prej tyre: Korab Lita, Arben Elezi, Arlind Çaçani, Halil Jakimi, Alban Zeneli, Fatjona Dhimitri dhe Halit Valteri. I vetmi që nuk ka hedhur firmë ka qenë Myslim Murrizi, ndërkohë që deputeti Halit Valteri ka deklaruar se “nuk ka firmosur për shkarkimin e zonjës Hajdari”.
Në një letër drejtuar Kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi, ai shprehet se “nëse vendimi për të shkarkuar deputeten Hajdari qëndron, do të largohet së bashku me disa të tjerë dhe grupi parlamentar do të shpërbëhet”.
Por sipas Litës kjo nuk ndodh duke qënë se me largimin e Zonjës Hajdari dhe të Zotit Valteri mbeten 7 deputetë pjesë e grupit.
Deputetja Hajdari ka reaguar duke thënë se “ajo vazhdon të jetë kryetare e grupit parlamentar”:
“Ju siguroj se unë jam në krye të grupit Demokrat që ndërkohë po zgjerohet dhe forcohet edhe më shumë. Vendosmëria jonë për të çuar deri në fund reformimin e sistemit është detyrim ndaj çdo demokrati dhe opozitari që kërkon ndryshimin në Shqipëri. Shihemi të enjten!”
Në një tjetër postim në Facebook, Zonja Hajdari ka zbuluar se, njësoj si deputeti Valteri, edhe deputetja Fatjona Dhimitri e ka tërhequr firmën për ndryshimin e kryetarit të grupit parlamentar. Sipas deputetes Hajdari, “ka patur presione nga Korab Lita ndaj deputetëve, përfshi dhe Zonjës Dhimitri, dhe pamjet filmike do t’i dërgohen prokurorisë”.