Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur të mërkurën në një takim që ka në fokus seancën e së enjtes në Kuvend ku pritet të miratohet qeveria e re dhe shpaloset programi i saj.
Temat e diskutimit në mbledhje janë sektorët e qeverisjes për të cilat deputetët e PD pritet të bëjnë oponencë në Kuvend.
Menaxhimi i pandemisë, pasojave të tërmetit si dhe situata e kriminalitetit janë disa nga çështjet që PD pretendon se socialistët kanë dështuar.
Në seancën e së enjtes, Kuvendi pritet të miratojë kabinetin e ri qeveritar pasi ata u dekretuan edhe nga Presidenti Meta.
Kryeministri Rama pritet që të shpalosë programin e qeverisjes, i cili bazuar në premtimet gjatë fushatës do të mbështetet në turizëm, bujqësi dhe përfundimin e rindërtimit.