Grushti antikushtetues për Prokurorin e Përgjithshëm — Exit Shpjegon

Nga Ilmi Rehova
Grushti antikushtetues për Prokurorin e Përgjithshëm — Exit Shpjegon

“Atributet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do t’i ushtrojë Komisioni i Ligjeve dhe, pasi të kemi bërë seancën dëgjimore, do të bëhet një listë e shkurtuar e kandidatëve më të mirë, që do t’i propozohen më tej Kuvendit.”

Kjo është deklarata e djeshme e deputetit socialist Adnor Shameti, anëtar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit.

Deklarata është ashtu siç duket: Kuvendi i ka dhënë vetes atributet e një institucioni tjetër të pavarur kushtetues.

Ky  uzurpim kompetencash është bërë pa asnjë bazë dhe referencë ligjore, përfshi pa asnjë referencë në Kushtetutë apo Rregulloren e Kuvendit, madje pa asnjë vendim formal të Kuvendit.

Si u arrit deri këtu?

Exit.al po shpjegon shkurtimisht të gjitha shkeljet kushtetuese që kanë sjellë në këtë pikë.

Ndryshimet kushtetuese, pjesë e reformës në drejtësi, të miratuara në Korrik 2016, përcaktuan se procesi i përzgjedhjes dhe vlerësimit të kandidaturave për Prokurorin e Përgjithshëm administrohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Vetë KLP është organ i ri i pavarur, i krijuar nga reforma në drejtësi për të administruar karrierën e prokurorëve, pra emërimet, shkarkimet, lëvizjet në detyrë, masat disiplinore, për të gjithë prokurorët e vendit.

Për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Kushtetuta përcakton kushtet dhe procedurat e përshkruara më poshtë.

Neni 148/a, pika 1 e Kushtetutës përcakton se:

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

Ndërsa në pikën 2, Neni 148/a 2 sanksionon:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.

Kushtetua përcakton qartë edhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. Në Nenin 148/ç përcaktohet qartë se:

Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit.

Pra, ndër të tjera përcaktohet se Prokurori i Përgjithshëm, si çdo prokuror, mund të zgjidhet vetëm dikush që i është nënshtruar procesit të vetingut.

Element shumë i rëndësishëm i procesit të zgjedhjes është edhe përgjegjësia se kush përcakton mbarimin e mandatit aktual dhe fillimin e procedurave për zgjedhjen e prokurorit të ri të përgjithshëm. Kjo gjë përcaktohet qartë në nenin 148c, pika 2 të Kushtetutës, i cili sanksionin:

Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ndryshimet kushtetutuese nuk shprehen për mandatin e prokurorit në detyrë në kohën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, pra në korrik 2016, duke lënë të nënkuptuar se mandati i tij nuk do të ndërpritej me hyrjen në fuqi të reformës në drejtësi dhe do të vazhdonte deri në përfundim të mandatit, pra deri në dhjetor 2017.

Kushtetuta, nuk është mjaftuar vetëm me përcaktimet e mësipërme, por ka përjashtuar çdo hapësirë dhe mundësi që prokurori i përgjithshëm të zgjidhej në ndonjë mënyrë tjetër. Kushtetuta nuk ka përcaktuar as edhe ndonjë periudhë apo dispozitë kalimtare për zgjedhjen e prokurorit të ri të përgjithshëm, sepse ajo ka përcaktuar se KLP duhet të krijohej para përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm të tanishëm, Adriatik Llalla.  Në kapitullin e dispozitave kalimtare Kushtetuta përcakton qartë në Nenin 179 pika 6) se:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Ndryshimet kushtetuese hynë në fuqi më datën 11 gusht 2016. Kjo do të thotë se Kushtetuta ka përcaktuar se Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të ishte krijuar brenda datës 11 shkurt 2017.

Por KLP nuk është krijuar ende as sot, 10 muaj pasi ka kaluar afati i fundit kushtetues dhe gati një vit e gjysëm pas miratimit të reformës në drejtësi. Justifikimi ka qenë mos gjetja e një përfaqësuesi të kualifikuar të shoqërisë civile, pasi një prej anëtarëve të KLP-së duhet të jetë përfaqësues i shoqërisë civile.

Është interesant fakti se në rastin e ngjashëm të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit ka patur përfaqësues të shoqërisë civile.

Por ajo që ngre dyshime serioze se ka patur një plan të qëllimshëm të pengimit të krijimi të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me qëllim emërimin politik të një prokurori të përgjithshëm nga shumica socialiste, janë hapat që kjo shumicë mori pas hyrjes në fuqi të reformës në drejtësi.

Më 6 tetor 2016, pra tre muaj pas hyrjes në fuqi të reformës në drejtësi dhe tre muaj para afatit të fundit kushtetues për të krijuar KLP-në, shumica socialiste miratoi Ligjin për Organizimin e Sistemit të Prokurorisë, në të cilin bëhen parashikime që bien tërësisht ndesh me Kushtetutën, veçanërisht përcaktimet e sapo miratuara kushtetuese të reformës në drejtësi.

Në mënyrë të pashpjegueshme, shumica qeverisëse “parashikoi” në këtë ligj një situatë kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk do të ishte krijuar edhe një vit pas afatit të detyrueshëm kushtetues për krijimin e tij.

Pra, shumica socialiste ka parashikuar që në tetor 2016 se kur të mbaronte mandati i prokurorit aktual, pra në dhjetor 2017, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk do ishte krijuar akoma edhe pse Kushtetuta përcaktonte qartë që KLP duhej të ngrihej brenda 10 shkurtit 2016.

Akoma më keq, shumica socialiste ka kryer një grusht antikushtetues duke rregulluar me ligj se si duhet të shkelej Kushtetuta, sikurse shpjegohet më poshtë.

Së pari, me ligjin për organizimin e sistemit të prokurorisë, shumica ka krijuar një institucion të ri të prokurorisë, të paparashikuar dhe të papërmendur në Kushtetutë, të quajtur “prokuror i përgjithshëm i përkohshëm”, i cili duhet të shërbejë deri në momentin kur të zgjidhet një prokurori i ri i përgjithshëm.

Për afatin e shërbimit në detyrë të këtij prokurori të përkohshëm nuk vihet asnjë kufizim kohor, që do të thotë se ai mund të shërbejë pa afat, për aq kohë sa mund të zvarritet krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (në shkelje të Kushtetutës).

Së dyti, sikur të mos mjaftonte krijimi i një institucioni jashtëkushtetues e me gjasa antikushtetues me anë të një ligji të thjeshtë, për zgjedhjen e tij në Kuvend shumica socialiste përcaktoi kushte krejt të ndryshme nga ato që Kushtetuta parashikonte për prokurorin e përgjithshëm, duke sanksionuar se ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra teorikisht edhe me 36 vota. Ndërkohë, sikurse u tha më sipër Kushtetuta përcakton qartë në nenin 148 se prokurori i përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e Kuvendit, pra me minimumin 84 vota.

Së treti, ligji në shkelje të Kushtetutës lejon që prokurori i përkohshëm të zgjidhet pa kaluar procesin e vetingut, kusht që Kushtetuta e sanksionin për çdo emërim prokurori të ri, e aq më tepër për Prokurorin e Përgjithshëm.

Së katërti, mbasi është shkelur Kushtetuta me mos krijimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shumica socialiste i ka dhënë në mënyrë arbitrare atributet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë një komisioni parlamentar, Komisionit të Ligjeve, siç pohoi Adnan Shameti i cituar në fillim të këtij artikulli. Madje këto kompetenca, shumica parlamentare ia ka dhënë vetes pa asnjë proces formal, pra, pa asnjë vendim të Kuvendit, por thjesht në mënyrë gojore Kryetari i Komisionit të Ligjeve vendosi që të marrë këto kompetenca.

Së fundmi, kompetenca kryesore që është marrë nga shumica është ajo e konstatimit të mandatit të prokurorit. Siç u theksua më sipër këtë kompetencë Neni 148/c ja jep në mënyrë taksative KLP-së.

E gjithë kjo situatë anti-kushtetuese kompromenton jo vetëm reformën në drejtësi, por ajo ngre pikëpyetje serioze për hetimet që prokuroria ka filluar kundër figurave të larta qeverisëse dhe të policisë për përfshirje në trafikun e drogës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>