Habilaj-Tahiri, prokuroria gjen fakte të reja

Habilaj-Tahiri, prokuroria gjen fakte të reja

I zhveshur nga posti i ministrit të Brendshëm, në kulmin e akuzave të opozitës për lidhje me trafikantët e drogës, Saimir Tahiri udhëtoi me jaht luksoz nga Mali i Zi në Lecce të Italisë. Ky udhëtim, është zbuluar së fundmi nga grupi i prokurorëve që po heton për aktivitetin e ish-ministrit, pas këqyrjes së telefonit të njërit prej personave të dyshuar, ku janë gjetur foto të Tahirit dhe personave që e shoqëronin. Ky udhëtim daton në verën e 2017, pak javë përpara se Prokuroria për Krime të Rënda të niste hetimin ndaj Tahirit.

Burime pranë grupit të hetimit thanë se gjatë hetimit ka rezultuar se ish-ministri ka udhëtuar me automjet nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe prej andej me jaht në drejtim të Lecces. Por, grupi i hetimit, kërkon të zbulojë se kush është pronari i jahtit, me kë udhëtoi ky i fundit nga Mali i Zi në Itali, ku u akomodua ish-ministri dhe miqtë e tij dhe kush i pagoi shpenzimet.

Në fakt kjo nuk ishte hera e parë, që Saimir Tahiri udhëtonte drejt vendeve fqinje duke drejtuar mjete lundruese në pronësi të personave të tretë. Në 2014, vetëm një vit pasi kishte marrë detyrën e ministrit të brendshëm, ai udhëtoi drejt Greqisë, me një skaf në pronësi të Orgest Liperit. Në dosjen e prokurorisë thuhet se skafi pësoi defekt dhe Saimir Tahiri kërkoi ndihmën e Artan Habilajt dhe një zyrtari policie. Të dy ata e sollën mjetin lundrues në Shqipëri. Momenti që e implikon në këtë pikë ish-ministrin, është fakti se skafi në pronësi të Liperit u dërgua në Itali nga vetë Moisi Habilajt, i dyshuar si kreu i grupit kriminal e që aktualisht ndodhet në burg në Catania.

E ndërsa prokurorët e dosjes “Tahiri” janë duke renditur të gjitha provat mbi bazën e të cilave pretendojnë të provojnë akuzat ndaj ish-ministrit dhe nuk ndalen në përpjekjet e tyre, për ta çuar prapa hekurave përmes rekursit të bërë së fundmi në gjykatën e Lartë, Saimir Tahiri shfaqet i qetë në rrjetet sociale. Nga shëtitjet me kalë tek rritja e bletëve, këto janë mënyrat sesi e vret kohën, njeriu që dikur konsiderohej ministri kampion, por që ndryshe nga dje, tashmë i duhet të zhvillojë betejën e jetës, siç e ka cilësuar vetë ai; përballjen me drejtësinë. Deri më tani, Saimir Tahiri i ka fituar betejat me gjykatat, njëherë kur ja doli të rimerrte pasaportën e tij, e më pas kur e bindi Apelin ta lirojë nga arresti shtëpiak. Ndalesa e radhës pritet të jetë gjykata e Lartë, në sirtarët e së cilës dy rekurset e prokurorisë për çështjen Tahiri, presin për t’u shqyrtuar.

Publikuar nga News 24.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>