Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn refuzoi të flasë për përgjimet e BILD ku tregohet blerja e votave dhe bashkëpunimi me kriminelë e qeverisë Rama gjatë zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme. E vetmja përgjigje që pati Hahn, ishte suksesi aritmetik i vetingut, duke treguar se sa gjyqtarë e prokurorë ishin larguar. Ai nuk foli për realitetin e drejtësisë në Shqipëri, të shkaktuar nga një reformë e hartuar dhe e zbatuar keq, i së cilës ai ka qënë një nga promovuesit më të mëdhenj.
Gjatë deklaratës për shtyp pas samitit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg, pyetjes së një gazetari se nëse Komisioni ka marrë parasysh krizën politike, përgjimet e BILD dhe bashkëpunimin e qeverisë me krimin në hartimin e progres-raportit për Shqipërinë, komisioneri Hahn iu përgjigj duke folur vetëm për procesin e vetingut:
“Ata [qeveria] kanë bërë një reformë të thellë në drejtësi dhe t’i fajësosh ata se kanë lënë Gjykatën Kushtetuese me një anëtarë sepse vetingu ka hequr të tjerët është pak e padrejtë.
Nuk mund të injorojmë situatën politike të brendshme dhe kjo ka ndikuar tek disa prej vendeve të BE-së për të mos pranuar hapjen e negociatave.”
Pothuaj të gjitha pyetjet për Shqipërinë ishin për përgjimet e BILD, dhe për lidhjen e zyrtarëve të lartë me krimin, por Hahn iu shmang atyre duke deklaruar se “Shqipëria ka kohë deri në tetor për të ndryshuar mendimin e vendeve të BE-së.”
Po ashtu Zoti Hahn sqaroi se Shqipëria dhe Maqedonia do të vazhdojnë të gjykohen bashkë sepse “të dy vendet kanë bërë përparime që duhen vlerësuar.”