Rudina Hajdari, bashkëkryetarja e komisionit për Reformën Zgjedhore, akuzoi sot PD-në dhe LSI-në se nuk pranojnë propozimin për kalimin nga listat e mbyllua në lista të hapura të kandidatëve për deputetë.
Zonja Hajdari pas mbledhjes së Këshillit Politik, sulmoi opozitën duke thënë se ata deklarojnë se duan ndryshimin e sistemit, por nuk kanë propozuar asnjë ndryshim konkret dhe as nuk pranojnë propozimet e bëra nga opozita brenda parlamentit, me justifikimin se nuk ka kohë mjaftueshëm për të ndryshuar sistemin zgjedhor.
Rudina Hajdari u shpreh:
“Nëse nisim debatin, kemi kohë mjaftueshëm për të ndryshuar apo jo Kushtetutën, por duhet vullneti politik.
Të mos bllokojmë atë variant që fuqizon qytetarët për të zgjedhur drejtëpërdrejtë deputetët e tyre. Duhet të kemi një parlament cilësor, të dëgjohet edhe zëri i qytetarëve, jo vetëm i kryetarëve.
Në çdo parti, po të shikoni listat kanë vetëm servila.
[Kryetarët e partive] duan njerëz që mund t’i menaxhojnë. jo që kanë një mendim të pavarur. Ftoj partitë opozitare që duan ndryshim në këtë vend jo vetëm të bëjnë video dhe të vjedhin kauzat e të tjerëve, as të dalin në sheshe e ulërasin kot, por të mbështesin hapa konkrete që u japin të drejtë qytetarëve të zgjedhin deputetët e tyre në mënyrë të drejtëpëdrejtë.”
Tre ditë më parë, opozita në parlament dorëzoi në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore katër propozimet e saj për ndryshimet në sistemin zgjedhor.
Për tre prej katër propozimeve nevojiten ndryshime në Kushtetutë, ndërsa vetëm një prej tyre, propozimi për sistem proporcional rajonal më 12 njësi zgjedhore, mund të bëhet dhe pa ndryshime kushtetuese.
Bie në sy se të gjitha propozimet propozojnë listat e hapura ku votuesit mund ta zgjedhin vetë deputetin që i përfaqëson në kuvend.
Aktualisht sistemi zgjedhor në Shqipëri është proporcional rajonal me lista të mbyllyra të hartuara nga kryetarët e partive.
Më të lexuar më tepër për propozimet e opozitës në parlament, klikoni këtu.