Hajdari sulmon qeverinë dhe opozitën: Nuk duan të ndryshojnë sistemin zgjedhor

Nga Exit News
Hajdari sulmon qeverinë dhe opozitën: Nuk duan të ndryshojnë sistemin zgjedhor

Rudina Hajdari, bashkëkryetarja e komisionit për Reformën Zgjedhore, ka akuzuar qeverinë dhe opozitën se nuk duan ta ndryshojnë sistemin zgjedhor, pavarësisht deklaratave publike se janë pro ndryshimit.

një intervistë për OraNews, mbrëmjen e 7 majit, Hajdari tha se si shumica socialiste, ashtu dhe opozita fillimisht thonë se janë dakord për ndryshimin e sistemit, pastaj ndërrojnë mëndje:

“Mazhoranca shpesh herë përpiqet të fshehë dorën. Thotë që është pro, por nga ana tjetër në deklaratat publike unë shoh një lloj ndrojtje dhe kanë hezituar që të thonë se ka një konsensus mbi këtë pikë.

Ndryshimi i sistemit ka qenë një diskutim i gjatë në PD. E kanë përqafuar disa herë. Fakti që ata kanë ndryshuar mendje dhe kanë ardhur me asnjë propozim konkret në lidhje me këtë temë, atëherë i bie që nuk e kanë seriozisht.

Për ata që i kanë premtuar demokratëve dhe qytetarëve që e duan ndryshimin e sistemit, faktikisht po del që nuk e duan ndryshimin e sistemit.”

Sipas deputetet Hajdari një reformë zgjedhore që nuk parashikon ndryshimin e sistemit dhe lejimin e qytetarit për të zgjedhur vetë përfaqësuesit e tij, nuk mund të quhet reformë:

“Ndryshimi i sistemit është thelbi i të gjithë reformës zgjedhore, sepse nuk mund të kemi një reformim të të gjitha hallkave pa ndryshuar ata që është thelbi.

Thelbi është se nëse shqiptarët vazhdojnë të votojnë në të njëjtën mënyrë vetëm me siglat e partive politike, atëherë manipulimi i zgjedhjeve do të ndodhë gjithmonë.”

Në fillim të marsit, opozita parlamentare dorëzoi në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore katër propozimet e saj për ndryshimet në sistemin zgjedhor.

Për tre prej katër propozimeve nevojiten ndryshime në Kushtetutë, ndërsa vetëm një prej tyre, propozimi për sistem proporcional rajonal më 12 njësi zgjedhore, mund të bëhet dhe pa ndryshime kushtetuese.

Bie në sy se të gjitha propozimet propozojnë listat e hapura ku votuesit mund ta zgjedhin vetë deputetin që i përfaqëson në kuvend.

Aktualisht sistemi zgjedhor në Shqipëri është proporcional rajonal me lista të mbyllyra të hartuara nga kryetarët e partive.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>