Gunther Krichbaum, kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman u shpreh optimist për hapjen e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, ndërsa për Shqipërinë la të kuptohet se shanset janë të ulëta.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Zoti Krichbaum tha se “në parlamentin gjerman, mendimi për Maqedoninë e Veriut është shumë i mirë” dhe se ai është i bindur se “në muajin tetor Këshilli do të marrë një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut”.
Për Shqipërinë, Zoti Krichbaum tha se parlamenti gjerman po këshillohet. Ai u shpreh se “ekziston edhe mundësia që procesi i hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë të zhvillohet i ndarë, dhe jo në grup”.
Zoti Krichbaum deklaroi se parimi i vlerësimit të secilit vend në bazë të arritjeve të tyre mund të jetë më i mirë se sa gjykimi në grup që është ndjekur në vitet 2004 dhe 2007, ku ndër të tjera u anëtarësuan në grup Polonia, Hungaria, Bullgaria e Rumania:
“Që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “principle of oën merit”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë.
Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë.”
Deputetët gjermanë e veçanërisht grupet e punës për çështjet e Bashkimit Evropian dhe ato të Jashtme, prej disa ditësh po punojnë për të marrë një vendim lidhur me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Për këtë, Ministri i Jashtëm veriomaqedonas Nikolla Dimitrov dhe Kryeministri Rama ndodhen këto ditë në Berlin për të zhvilluar takime të ndryshme.
Grupi parlamentar i CDU/CSU-së i kancelares Merkel pritet ta marrë vendimin pro ose kundër hapjes së negociatave, më 24 shtator.
Më pas më 27 shtator, të gjithë deputetët gjermanë do të diskutojnë dhe miratojnë vendimin përfundimtar që do të mbajë qeveria gjermane në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së më 18 tetor.