Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj u shpreh sot se Kosova nuk ka pasur ftesë nga Shqipëria për takimet për minishengenin ballkanik dhe edhe nëse do të kishte pasur Zoti Haradinaj theksoi se nuk do të merrte pjesë.
Në një deklaratë për shtyp, Kryeministri i Kosovës tha se rrethanat që ka Kosova dhe Serbia janë penguese:
“Kosova nuk është e ftuar me aq sa di unë, të paktën jo deri tani që unë flas. Edhe në rrethanat që janë deri tani unë nuk marr pjesë. Por edhe ftesë nuk kemi marrë.”
Më 21 dhjetor është parashikuar të mbahet në Durrës takimi i radhës për të diskutuar idenë e minishengenit ballkanik. Deri më sot Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri në detyrë i Maqedonisë Zoran Zaev kanë zhvilluar 2 takime, një në Novi Sad dhe një në Ohër.
Në takimin e fundit morën pjesë përfaqësues të qeverisë së Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Një ditë më pas nga qeveria malazeze u tha se nuk do t’i bashkoheshin nismës. Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekuliq e konsideroi minishengenin “shpenzim energjish, pasi Mali i Zi i ka hapur prej kohësh kufijtë duke hequr barrierat tregtare me fqinjët”.
Shteti i Kosovës nuk njihet nga Serbia dhe as nga Bosnja. Prej së paku një viti marrëdhëniet e tensionuara politike dhe ekonomike kanë bërë që edhe bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të ndalen. Ndërkohë së fundmi mohimi i masakrës së Reçakut nga Serbia ka bërë që partitë politike në Kosovë të kërkojnë qasje tjetër në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.