Kreu i AAK tha të shtunën se Kosova nuk mund ta marrë njohjen nga Serbia duke plotësuar të gjitha kërkesat e saj.
Ai tha se Kosova duhet të kërkojë të futet në NATO.
Në një takim në Pejë, Haradinaj tha se Serbia bashkë me Rusinë po bllokojnë njohjen e Kosovës.
Ai u shpreh se “atë që duhet të bëjmë, është që të themi se duam të hyjmë në NATO, përndryshe nuk e heqim bllokadën që po na bën Serbia e rusi, përndryshe nuk na mbetet tjetër pos referendum për bashkim me Shqipërinë”.
Po ashtu ai i është përgjigjur edhe deklaratave të presidentit serb për futjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Haradinaj tha se Kosova e krijoi ushtrinë e vet jo për kërcënim ndaj Serbisë por për të mbrojtur territorin.
Ai premtoi se si president do e forcojë ushtrinë e Kosovës “jo si mjet agresioni, por në shërbim të paqes dhe stabilitetit”.
Ai tha se nëse Vuçiç ndihet i kërcënuar, zgjidhja për të është që të njohë Kosovën “në mënyrë që popujt tonë të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë”.
Ndaj deklaratave të Vuçiç reagoi dhe kryeministri në detyrë Avdulalh Hoti, i cili i kërkoi ndërkombëtarëve të reagojnë, duke i cilësuar ato si deklarata të rrezikshme.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Prishtinës synon të marrë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqën nga Qeveria Hoti, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.