Kryeministri në ikje i Kosovës Ramush Haradinaj mohoi se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për linjën ajrore Prishtinë-Beograd do të ketë ndikim në heqjen e taksës 100 për qind mbi produketet serbe.
Në një konferencë për media, duke vlerësuar marrëveshjen si hap përpara për Kosovën, Zoti Haradinaj sqaroi se gjithsesi kjo nuk ndryshon gjë në lidhje me taksën:
“Arritja e marrëveshjes për fluturim direkt nga Beogradi në Prishtinë nuk ndryshon në statusin tonë, në sovranitetin tonë në atë çka jemi. Hapësirën ajrore tonën ende ne nuk e kemi në zotësi, e ka NATO.
Në momentin e arritjes së marrëveshjes me NATO-n kalon te ne, ende s’ka kaluar për shkaqe të sigurisë.
S’ka ndodhur marrëveshje Kosovë – Serbi.”
Kryeministri Haradinaj tha se marrëveshja për fluturimet mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të ngjashme për vende të tjera që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e për rrjedhojë nuk lejojnë as fluturimet nga Kosova:
“Fakti se është linjë ajrore mendoj se bën ndryshim në regjimin e deritashëm që ka ekzistuar në udhëtim.
Qindra mijëra qytetarë tanë kalojnë nëpër Serbi. Ka pas regjim të udhëtimit. Kjo linjë implikon pak më shumë.
Por është herët të shpallim fitore të caktuar apo tjetër, por në të ardhmen mund të gjendet një zgjidhje sikur me vendet tjera që s’e kanë njohur Kosovën. Mund të njihen dokumentet e Kosovës, në këtë rast e pasaportës.”
Më 20 janar, autoriteti kosovar i aviacionit nënshkroi marrëveshje me kompaninë gjermane Eurowings të grupit Lufthansa për të rihapur dy dhjetëvjeçarë pas luftës linjën Prishtinë-Beograd. Të njëjtën marrëveshje e nënshkruan edhe autoritetet serbe.
Marrëveshja u nënshkrua në Ambasadën Amerikane në Berlin nën mbështetjen e Ambasadorit Richard Grenell dhe këshilltarit për sigurinë Robert C. O’Brien.
Në 20 vitet e fundit, autoritetet e aviacionit të Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur asnjëherë kontakte.