Kryetari i AAK Ramush Haradinaj tha të martën se Kosovës i duhet një president i fortë për t’u përballur me Serbinë, duke lënë të nënkuptohet se ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani nuk po e bën këtë gjë.
Haradinaj ka shpallur kandidaturën për president të Kosovës.
Ai postoi një video në Facebook duke shkruar se “beteja për njohjen tonë të plotë, për një të ardhme të sigurt dhe të prosperuar për Kosovën dhe brezin tonë të ri, që siguron antarësim në NATO, BE dhe OKB, kërkon një President të fortë, që punon për interesat tona shtetërore dhe është i gatshëm të ballafaqohet me Serbinë e Vuçiqit”.
Pak ditë më parë Haradinaj tha se Kosova nuk mund ta marrë njohjen nga Serbia duke plotësuar të gjitha kërkesat e saj. Ai tha se Kosova duhet të kërkojë të futet në NATO.
Po ashtu ai i është përgjigjur edhe deklaratave të presidentit serb për futjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi. Haradinaj tha se Kosova e krijoi ushtrinë e vet jo për kërcënim ndaj Serbisë por për të mbrojtur territorin.
Vuçiç deklaroi pak ditë më parë se për të mbrojtur Serbinë do të bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Kjo deklaratë nxiti reagime tek liderët e Kosovës.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Prishtinës synon të marrë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.