Kryeministri i Kosovës Haradinaj u shpreh se tarifa e Rrugës së Kombit është taksë e shtuar për biznesin kosovar. Haradinaj ia ka përcjell këtë shqetësim edhe Kryeministrit Rama. I ftuar në emisionin “Përballë” në RTSH, ai u shpreh se:
Më vjen keq që ka ndodhur kjo me taksën, tarifën në Kalimash. Edhe më keq, kalojnë transportuesit, pagesa e skanerit, që është shumë e shtrenjtë. Është e pashpjegueshme. I kemi fol, i kemi fol. Si nuk i kemi fol, por megjithatë… Ne nuk mundemi tash me i qit kushte Shqipërisë: po nuk e hoqe atë, do të bëjmë këtë. Nuk bëhet ashtu. Shpresoj që do të gjendet ndonjë zgjidhje, por zor është me imponu zgjidhje.
Vendosja e tarifave për kalimin e aksit Milot-Morinë u lajmërua nga Qeveria Rama më 23 mars 2018 dhe do të fillonin të mblidheshin nga kompania koncesionare më 15 prill.
Por protestat e banorëve të qarkut Kukës bllokuan përkohësisht vendosjen e tarifave. Kryeministri Rama nuk i mori fare parasysh kërkesat e banorëve apo të biznesmenëve shqiptarë dhe kosovarë për uljen ose heqjen e tarifës së kalimit në Kalimash. Në një komunikim me publikun, më prill të 2018, ai u shpreh se:
Përdoruesit do të paguajnë 5 euro dhe as të mos e diskutojnë fare.
Vendimi i qeverisë Rama për vendosjen e një tarife prej 5 eurosh për automjet dhe 22,5 eurosh për kamion për çdo kalim të rrugës Milot-Morinë e bën më të shtrenjtë komunikimin Shqipëri -Kosovë, duke vendosur kështu një barrierë midis dy vendeve.