Haradinaj thirrje Kurtit: Merr një vendim, vonesat dëmtojnë vendin

Nga Exit News
Haradinaj thirrje Kurtit: Merr një vendim, vonesat dëmtojnë vendin

Kryeministri në largim i Kosovës Ramush Haradinaj i ka kërkuar publikisht kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti të vendosë sa më shpejt nëse do të formojë qeverinë e re apo do të shkojë sërish në zgjedhje.

Duke i kujtuar se çdo vonesë në formimin e qeverisë dëmton edhe më shumë mbarëvajtjen e vendit, Zoti Haradinaj, në një intervistë për Ekonomia Online, u shpreh:

“Unë pres nga Zoti Kurti që t’i thërrasë ndërgjegjes së vet. Ose ta gjej formulën me bë shumicën, në këtë rast me LDK-në, sepse unë s’jam palë e negociatave, ose të hapë rrugë. 

Të deklarojë për çka është: a është për një qeveri teknike, për një qeveri tjetër, për të shkuar në zgjedhje. Por diçka duhet t’i thotë Kosovës, nuk mund ta mbajë varur. 

Të lutem mos u vono, ose krijo shumicën, ose jepi epilog kësaj gjendjes. Sepse jemi ka rrezikojmë më shumë sesa një parti. Pra jemi ka e rrezikojmë funksionimin e vendit.

Zoti Haradinaj tha se duke qenë ende në detyrë si kryeministër, por pa fuqi vendimmarrëse i sheh edhe më qartë problemet që sjell vonesa në formimim e qeverisë së re:

“Nuk jam palë e interesit në asnjë variant, por duke qenë kryetar qeverie në detyrë unë i shoh pasojat për Kosovën.

Nuk po e them këtë me nxënë ngushtë Kurtin, sepse Kosova është e zënë ngushtë. Detyra e qeverisë janë në krizë, shiheni procesin. 

Është e dëmshme kjo vonesë dhe shkakton dëme serioze në qeverisje dhe në kualitete të tjera të jetës.”

Deklarata e Ramush Haradinajt vjen një ditë pasi Presidenti Thaçi i kërkoi Kurtit që të pranojë ose refuzojë mandatin në mënyrë që t’i hap rrugë krijimit sa më të shpejtë të institucioneve ose zgjedhjeve të reja.

Më 6 janar, Presidenti Thaçi takoi Kurtin dhe i la afat 48 orë për të dhënë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, për kryeministër.

Pas takimit me presidentit, Kurti nisi takimet me LDK-në, partia e dytë fituese, por ende nuk ka konfirmim për arritjen e marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme