Bar dhe Zjarr

Është piku i sezonit dhe dhjetëra burra të djersitur po punojnë fushat në Tragjas, një fshat në Shqipëri, po korrin boçet e kanabisit. Ato mbikëqyren nga polica të armatosur dhe me maska në fytyrë. Saimir Tahiri, Ministri i Brendshëm, fluturon mbi plantacione me një helikopter për të vëzhguar shkatërrimin e tyre. Dengje me shkurre dy metra të gjata digjen. Zoti Tahiri pranon se tymi mbytës i zjarrit mund të jetë një problem për policët por ky është shqetësimi më i vogël, shton ai. “Droga e Evropës po luftohet këtu,”- tha ai – “dhe miliona euro janë në lojë.”

Shqipëria është pika kryesore e importit të drogës për në tregun evropian. Vendi prej shumë kohësh ka qenë një bazë, prej të cilës grupe kriminale kanë trafikuar çdo gjë që nga cigaret tek heroina, kokaina, kanabisi, vaji i kanabisit dhe substanca të tjera të paligjshme për në pjesën tjetër të Evropës, sipas Qendrës për Monitorim të Drogës dhe Varësisë ndaj drogës, agjencia e Evropës për drogën. Gjithnjë e më shumë Shqipëria është bërë një prodhues i madh i bimës së kanabisit në natyrë, i cili shpërndahet me ndihmën e një rrjeti kompleks të grupeve shqiptare të organizatave kriminale.

Një nga destinacionet kryesore është Italia, ku droga trafikohet nëpërmjet anijeve të shpejta, kamionëve dhe avionëve privatë; muajin e kaluar trafikantët u përpoqën të trafikonin edhe nëpërmjet motorëve të ujit. Një gazetë italiane në titullin kryesor shkruante, disi në mënyrë histerike, se “lumenj droge” po rrjedhin nga Shqipëria në brigjet e Italisë. Këtë verë, çdo ditë, Guardia di Finanza italiane, një forcë policore paraushtarake, ka fluturuar mbi Shqipëri për t’i transmetuar vendndodhjen e plantacioneve me kanabis njerëzve të Zotit Tahiri. “Afërsish të gjitha plantacionet e raportuara janë shkatërruar”- thotë ai. Në fund të gushtit të këtij viti, ai deklaroi se njerëzit e tij kanë shkatërruar një milionë plantacione me bimë të kanabisit – më shumë se sa gjysëm milioni në krahasim me 2014.

Të tjerët janë më pak të bindur. Vendasit ankohet se disa plantacione – ato të cilat janë të vështira për t’u arritur – kanë mbijetuar. Politika shqiptare është e pasur me akuza për lidhjet e politikanëve me mafian e drogës. Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, parti në opozitë, thotë se vetë Zoti Tahiri po mbron baronët kryesorë të drogës. Zoti Tahiri i mohon me vrull akuzat. Zoti Basha pretendon se gjatë fushatës elektorale tre vjet më parë Edi Rama, Kryeministri socialist, ka bërë marrëveshje të pista me mafiozë vendas në mënyrë që të marri vota; tani, ai mendon se Zoti Rama është peng i tyre. Socialistët e mohojnë këtë; ato shprehen se gjatë tetë viteve që partia e Zotit Basha ishte në pushtet, kanabisi u kultivua në mënyrë të hapur në fshatin e vogël të Lazaratit. Prodhimi ishte kaq i përhapur sa vlera e tij e raportuar nga Ministria e Brendshme ishte 4.5 bilionë euro (6 bilionë dollar), ose gjysma e PBB së Shqipërisë, në vitin 2014, kur Lazarati u bastis nga policia.

Përmes mjegullës së kanabisit të djegur, faktet janë të vështira për tu vërtetuar. Plantacionet janë përhapur përtej Lazaratit. Por zyrtarët italianë refuzojnë të flasin nëse shqiptarët janë seriozë në luftën ndaj kanabisit. Vitin e kaluar Dritan Zagani, një polic i lartë i Shqipërisë, kërkoi azil politik në Zvicër pasi i tha italianëve rrugët e reja të drogës; policia shqiptare tha se ai ka nxjerrë informacione të brendshme tek mafia.

Një burim diplomatik tha se problemi i kanabisit po “përkeqësohet”. Por për sa i përket një shkalle të vërtet të përkeqësimit, është e paqartë nëse policia ka një impakt të vërtet. Vende të tjera, si Maroku, e furnizojnë tregun evropian me marijuanë. Në Amerikën Latine shkatërrimi i boçeve të bimës së kokainës përgjithësisht dëmton prodhuesit e vegjël, por lë të paprekur mafiozët e rëndësishëm. Gjithsesi, Zoti Tahiri është sfidues. Pavarësisht burimeve të vogla të vëna përballë parave të mëdhaja të drogës, ai tha, se njerëzit e tij janë duke punuar më mirë se çdo vit tjetër. Për qeverinë shqiptare është një çështje ligji dhe rregulli, dhe besueshmërie në Evropë – në veçanti nëse vendi kërkon të anëtarësohet në BE. Zoti Tahiri tha se mafiozët duhet ta dinë se nuk ka më “ të paprekshëm”.

Artikull i gazetarit Tim Judah, botuar në “The Economist”.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>