“Heda Gabler” e Henrik Ibsenit po shfaqet këto ditë në Tiranë në Teatrin Eksperimental dhe me shumë gjasë, titulli nuk ju thotë asgjë. Ibseni mbase ju kujton nga shkolla “Shtëpi kukulle” apo “Armiku i popullit”, por Heda Gabler asgjë.
Me dy fjalë, është historia e vajzës së sërës Heda Gabler, bijë gjenerali, e cila sapo është martuar me Jorgen Tesmanin, një akademik, kërkues i devotshëm, por jo i talentuar. Heda nuk e do Tesmanin, madje në gjashtë muajt e mjaltit është mërzitur për vdekje me të. Tesmani ka bërë gjithçka që të plotësojë tekat luksoze të Hedës, por tani gjendet në vështirësi financiare, prej nga do ta nxirrte emërimi si profesor.
Për këtë, Tesmanin po e ndihmon edhe gjykatësi Brag, i cili duket sheshit që i vjen vërdallë Hedës. Befas në lojë hyn Tea Elvsted, dikur shoqe shkolle me Hedën, por edhe e njohur e Jorgen Tesmanit. Ajo i njofton se Eilert Lëvborgu, akademik i talentuar dhe konkurrent i Tesmanit ka ardhur në qytet, sepse ka botuar një libër. Kjo e bën Tesmanin të dyshojë se do t’i marrë vendin e profesorit. Pjesën tjetër do ta zbuloni në teatër…
Për ta ngjeshur veprimin dramaturgjik, regjisori rumun Botond Nagy me dramaturgen Kali Agnes e kanë shkurtuar pjesën, duke mbajtur vetëm skenat kryesore. Në këtë proces kanë humbur disa prej shtysave, që justifikojnë proceset e personazheve.
Kështu, nëse nuk e di, nuk e kupton qartë që Heda mund të jetë shtatzënë, që Tesmani është në vështirësi financiare apo që Eilerti ka qenë vartës i alkoolit. Shfaqjes nuk mund t’ia marrësh plotësisht shijen, as nëse nuk njeh sadopak atmosferën e muzikës elektronike gjermane, me elemente të akullta industriale, po edhe të pista, të vrazhda, tipare të Gjermanisë underground të viteve ’80, një botë e panjohur për shqiptarët e izoluar të atyre viteve.
Për çfarë po flas? Për atmosferë si në filmin “Biondja bërthamore” (Atomic Blonde), që ju këshilloj ta shihni para shfaqjes për të kuptuar atmosferën.
Kur hyn në sallë, një personazh i veshur me rroba në ngjyrë të florinjtë, shpërndan tym në sallë, ndërsa në sfond dëgjohet në anglisht një zë, që njofton se duhet të lidhni mirë rripat për të parë këtë shfaqje, nën efektin pamor të një drite të kuqe vërtitëse, si ato të makinave të policisë. Një përpjekje për të krijuar një gjendje hipnotike, e cila i rri më së miri qasjes psikanaliste të regjisorit.
Ky i fundit kishte zgjedhur një lojë në dukje formale të aktorëve, të ftohtë, pa u parë në sy me njëri-tjetrin, me elemente teknike si mikrofonat, me një tension industrial mes njerëzve, por çuditërisht, edhe në këtë mungesë marrëdhëniesh klasike, përcillej përmbajtje dhe emocion.
Aktorët dukej sikur i përdornin fjalët si pretekst për të nxjerrë në pah të pandërgjegjshmet e tyre. Veçanërisht kjo ndihej te nervi dhe ritmi i ngjeshur që përshkonte bisedat intime. Vulën e vinte babai i vdekur aty pas kokës së Hedës, që shtynte edhe konkretisht veprimet e saj në skenë. Monologu i babait, shtuar nga dramaturgia Kali Agnes, i shërbente shumë mirë konceptit.
Nëse ka një gjë që nuk i rri mirë kësaj shfaqjeje është futja e Deas së Butrintit, të cilën me sa duket, publiku duhet ta perceptonte si perëndi dhe ta njëjësonte me Hedën. Mirëpo Dea e Butrintit nuk perceptohet si e tillë nga shqiptarët dhe kjo e rrëzon analogjinë, duke e bërë përdorimin e Deas si një shqiptarizim me përdhunë.
Ajo që mbetet një tipar shumë interesant i shfaqjes është ngacmimi i vazhdueshëm i publikut me elemente që nuk e lënë të rehatohet: tym duhani, tym zjarri, tinguj të fortë, nxehtësi në sallë, zhurmë plastike, përplasje, mikrofona, jehonë, krisma pistolete: kur dilje nga salla, ashtu si pa kuptuar, Heda Gabler të kishte ndyer edhe ty, ashtu si kishte ndyer nga pak gjithë personazhet e tjerë. Vetë Heda Gabler, me një interpretim të shkëlqyer të Ermira Hysajt, dukej sikur kishte lënë kitarën dhe kishte dalë drejt e nga videoklipi i “Addicted to love” të Robert Palmerit: e ftohtë akull, po me një vullkan brenda saj.
Nëse doni një shfaqje të fortë klasike, me atmosferë tekno-industriale, me aktorë që luajnë me mjeshtëri mes të ndërgjegjshmes e pandërgjegjshmes, ngrihuni dhe prisni biletën për të parë “Heda Gablerin”.
HEDA GABLER
Autori : Henrik Ibsen
Përktheu : Afrim Koçi
Regjia : Botond Nagy
As/Regjisor : Stela Doka
Skenografia : Irina Moscu
Kostumografia : Sofi Kara
Dramaturgjia : Kali Agnes
Lëvizja skenike : Mateo Dervishaj
Interpretojnë: Ermira Hysaj, Romir Zalla, Mateo Dervishaj, Adriana Tolka, Alfred Trebicka, Alert Çeloaliaj.
Për më shumë klikoni këtu.