Heronjtë e tërmetit janë qytetarët vullnetarë

Nga Alice Elizabeth Taylor
Heronjtë e tërmetit janë qytetarët vullnetarë

Në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, një tërmet me magnitudë 6.3 goditi dy qytete mjaft të populluara të Shqipërisë- Durrësin dhe Tiranën, duke marrë jetët e 51 qytetarëve. Mbi 900 njerëz u plagosën, ndërsa më shumë se 4.500 janë të pastrehë pasi shtëpitë e tyre u dëmtuan ose ata kanë frikë të kthehen në to.

Mbas asaj dite, rreth 1.000 pasgoditje të magnitudë nga 1.9 në 5.6 kanë shkundur vendin, duke nxjerrë në rrugë qytetarët, të cilëve iu shtua paniku i shkaktuar nga tërmeti i parë. Vendi im, shtëpia ime janë zhytur në gjendje mbijetese, ku të gjithë janë mbërthyer nga frika, mërzia, zemërimi dhe shqetësimi për të ardhmen.

Ndërkohë që situata qetësohet dhe vëmendja e mediave ndërkombëtare largohet nga gjendja e shqiptarëve, katastrofa duket sikur s’do të mbarojë. Kjo tokë e trazuar, që me është bërë shtëpi, vendi që më ka rrëmbyer zemrën u shkund në themele nga një katastrofë, e cila do të kërkojë shumë vite të harrohet. Shqipëria është shteti më i varfër në Europë dhe sfida e rindërtimit, jo vetëm të ndërtesave por edhe të jetëve dhe shpresës, është dicka që nuk mund të blihet me para.

Heronjtë e vërtetë të kësaj katastrofe janë vullnetarët, të cilët kanë dhënë kohë, energji, para, dashuri dhe humanizëm, që të gjithë të mund të mbledhin veten e të vazhdojmë përpara. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është një nga organizatat kryesore që ka ofruar ndihma gjatë këtyre ditëve.

Një ekip prej rreth 200 vullnetarësh kanë punuar në çdo orë, duke mbledhur, renditur dhe shpërndarë 40 ton ndihmë, dhuruar nga 9.000 donatorë. Por më shumë se kaq, me paratë që kanë marrë nga donatorë ata do të fillojnë të ndërtojnë shtëpi të përkohshme për ata, shtëpitë e të cilëve janë shumë të dëmtuara për t’u rikthyer në to. Ata do të vendosin shtëpitë e përkohshme afër pronave të dëmtuara, duke i lejuar njerëzit të vazhdojnë normalitetin në jetën e tyre, pa pasur nevojë të largohen nga vendi ku jetojnë.

Puna e të gjitha këtyre organizatave dhe vullnetarëve meriton të përgëzohet – duke lënë mënjanë punët, rehatinë dhe jetën e tyre, ata kanë mobilizuar një ushtri qytetarësh që, aty ku ka munguar shteti, ka marrë rolin e tij, pa kërkuar asgjë në këmbim. Këta njerëz, së bashku me mijëra të tjerë, që kanë përdorur rrjetet sociale për të identifikuar njerëzit në nevojë dhe për t’i lidhur me ata që ofrojnë ndihmë, janë jeta dhe shpirti i këtij vendi.

Aty ku autoritetet dështuan, këta njerëz kurajozë morën drejtimin dhe dhanë kohën dhe energjinë e tyre për të ndihmuar të panjohur që ishin në nevojë.

Dhembshuria e pakufi dhe bashkimi i të gjithë shoqërisë që kam parë, m’i kanë mbushur sytë me lot më shpesh nga c’do kisha dashur ta pranoja. Ka qenë e pabesueshme të shihje këtë nivel solidariteti dhe dëshire për të ndihmuar të tjerët në kohën më të vështirë që po kalon vendi. Kjo, e kombinuar me mbështetjen e madhe nga shoqëria civile dhe OJQ-të në vendet fqinje është diçka që do të më mbetet në zemër për vitet e ardhshme.

Kamionët nga Kosova me flamurin shqiptar të lidhur në kabinat e tyre, kamionët nga Serbia dhe Greqia, të cilat nuk njihen për marrëdhëniet e tyre shumë miqësore me Shqipërinë, ekipe shpëtimtarësh nga Italia që vendosën jetën e tyre në rrezik për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat, OJQ nga të gjitha vendet, dhe skuadrat e qenve nuhatës nga Rumania, që lanë gjithçka për të qenë këtu – këta janë gjithashtu heronjtë e kësaj tragjedie.

Edhe vetëm të shkruarit për këto shembuj të jashtëzakonshëm humanizmi më emocionon.

Pa këta burra dhe gra të guximshme dhe tonelatat me rroba, ushqime, dyshekë, çadra, ujë dhe furnizimeve të tjera të mbledhura dhe transportuara në komunitetet që janë në nevojë, unë as nuk mund të imagjinoj se në cfarë situate do të gjendeshim tani.

Të parit e shtëpisë sime të copëtuar në këtë mënyrë dhe të lexuarit e emrave të atyre që humbën jetën atë mëngjes është një dhimbje që unë e ndaj me shumë të tjerë. Ajo që ndodhi atë ditë dhe në ditët në vijim nuk do të më shqitet kurrë, sepse, sinqerisht, kurrë nuk kam ndier pikëllim të tillë.

Por beteja është larg fundit – njerëzit ende nuk kanë marrë ndihmë, ata vazhdojnë të flenë jashtë në tenda ose nën qiellin e stuhishëm, dhe lutjet për ndihmë që vijnë në inbox-in tim janë një alarm i qartë se ky proces i rimëkëmbjes do të jetë një betejë e vështirë. Por ka shpresë- fuqia dhe forca e shpirtrave të popullit shqiptar, dhe dëshira e tyre e vërtetë për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të kapërcyer këtë moment errësire më bën të sigurt se sëbashku, në fund të fundit, askush nuk do të mbetet jashtë në të ftohtëpërgjithmonë.

Jam e frikësuar, e trishtuar, e nevrikosur, zemërthyer, e tromaksur për të ardhmen, ndihem e pashpresë dhe në vaj, por kurrë nuk kam qenë më krenare që Shqipërinë e kam bërë shtepinë time.

Për ata që duan të dhurojnë ndihma materiale ose para, unë besoj dhe mbështes plotësisht përpjekjet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Mund t’i gjeni te Teatri Kombëtar në qendër të Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>