Heshtja e armëve në Dhërmi

Nga Desada Metaj
Heshtja e armëve në Dhërmi

Ajo që ka ndodhur dy ditë parë në një nga lokalet më të njohura të jugut të Shqipërisë mund të konsiderohet pa frikë si një skandal dhe kambanë alarmi për mungesën e rendit në Shqiperi. Situata bëhet më shqetësuese, kur policia me anë të një deklarate gjysmake përpiqet të fsheh ngjarjen dhe të vertetat e saj. Le t’i marrim me radhë ato që kanë ndodhur.

Së pari — Policia ende nuk ka asnjë emer të personave që kanë qëlluar me armë në një lokal ku ndodheshin me qindra njerëz, dëshmitë e të cilëve në rrjetet sociale flasin për përjetimin e një akti terrorist. Kaq të vështirë e ka policia jonë të deklarojë emrat e personave të përfshirë në një sherr banal ku janë përdorur dhe armë zjarri?

Së dyti — Në nje vend aq popullor, policia ka mbërritur në vendngjarje me vonesë, duke mos marrë asnjë masë për qetësimin e situatës dhe shoqërimin e personave përgjegjës. Përkundrazi, duke u fshehur pas një deklarate të thatë, Ministria e Brendshme as nuk pohon tmerrin që kanë përjetuar frekuentuesit e lokalit, qytetarë dhe familjarë që janë gjendur në mes të shkëmbimit të zjarrit. A thua se jetojmë në një vend që drejtohet nga bandat.

Së treti — Edhe pasi kanë kaluar gati 48 orë, mungon një reagim serioz për këtë ngjarje të rëndë, ku denoncimet vijnë nga ish-kryeministri apo persona publikë që kanë qenë për fat të keq dëshmitare të kësaj ngjarjeje.

Së katërti — Kjo jo për faj vetëm të policisë, ndoshta. Një pjesë e mirë e shoqërisë sonë është ndoshta indiferente për këtë ngjarje të rëndë, që cënon sigurinë dhe aq më tepër ndodh në fillim te sezonit turistik, që pretendohet të jetë i suksesshem. Kjo sepse modeli që një pjesë e shqiptareve po përvetesojne, është modeli i “të fortëve” me makina luksoze, që shpenzojnë miliona, që e shfaqin jetën luksoze po aq sa mënyrat e paligjshme të trafiqeve me të cilat e sigurojnë atë. Dhe ky model për fat të keq nuk shihet më nga një pjesë e rinisë si i shëmtuar dhe jo dinjitoz. Por si mënyrë për t’u pasuruar dhe bërë i “famshëm” në rrjete sociale me banditizëm dhe mbrojtje që në të shumtën e rasteve ta siguron vetë shteti.

Kjo është fatkeqesia më e madhe edhe se shkëmbimi i zjarrit mbrëmë në një nga vendet më të populluara me rini, është kambana e alarmit për një shoqëri që po mësohet dalëngadalë me banditizmin, që po e shkatërron veten dhe bashkë me të dhe të ardhmen me modelin e banditëve që kanë dhe mbështetjen e shtetit. Kjo është kambana që mesa duket e dëgjojnë vetëm ata pak shqiptarë që besojnë tek vlerat dhe që e kanë të vështire, në mos të pamundur të përballen me një shtet që mbron kriminelët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>