Heshtja që vret

Nga Mersi Shehu
Heshtja që vret

1 në 3 gra në botë përjeton abuzim fizik ose seksual të paktën një herë në jetë. Nëse në terma të ngjashëm do të përkthenim shifrën e rasteve të denoncuara në Shqipëri, do të ishte 1 në 3 gra në 365 ditë për çdo vit.

Në janar 2017, një vajzë minorene u përdhunua në rrugën e Elbasanit, kohë kur Bashkia Tiranë propagandonte për projektin ‘Qytete të Sigurta’- për gratë dhe vajzat me fonde të Bashkimit Evropian. Por ku ishte Bashkimi Evropian kur kjo vajzë u përdhunua? Ku ishte Bashkia Tiranë që propagandonte për ndriçim dhe qarkullim të patrullës policore atë natë?

Në shtator 2017, një vajzë 10 vjeçare u përdhunua nga komshiu, pas ngacmimeve të vazhdueshme. 9 muaj më vonë, maj 2018, tre raste të ndryshme përdhunimi të vajzave minorene u denoncuan në të njëjtën kohë. Një prej të miturave këmbëngulte se i kishte treguar situatën mësueses kujdestare duke kërkuar ndihmë. Ku ishte institucioni edukues? Po Agjensia e Mbrojtjes së Fëmijëve?

Në gusht 2016, një minorene denoncon në Prokurorinë Tiranë se ishte përdhunuar nga fqinji i saj. Vetëm 2 ditë më vonë, deklaron para oficerëve të policisë gjyqësore se me djalin ishte e dashuruar, do të martohej dhe nuk ishte përdhunuar. Edhe pse personi në fjalë ishte subjekt i veprës penale marrëdhënie seksuale me të mitur, shtatë muaj më vonë, shkurt 2017 e mitura dënohet me 2 muaj heqje lirie për kallëzim të rremë. Mos vallë gjykata doli në anën e më të fortit duke sulmuar viktimën?

Në janar 2018, një vajzë 7-vjeçare përdhunohet nga i ati. 6 muaj më vonë një histori e ngjashme e gushtit 2018, tronditi opinionin publik ku një vajzë përdhunohej rregullisht nga mosha 9-vjeçare nga i ati për 16 vite. Familja, vendi ku supozohet të gjesh dashuri dhe ngrohtësi kthehet në ferr.

Ndërkohë që në përditshmëri ne flasim për të drejtën e gruas, përfaqësim të gruas në sferën politike dhe ekonomike dhe advokojmë për barazi gjinore, jo shumë larg nesh shumë gra dhe vajza janë subjekt i dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike. Dhe as strukturat e ngritura as fondet e pafundme të hedhura në projekte të ndryshme nuk i shpëtojnë ato nga ky realitet i dhimbshëm.

Rastet e mësipërme janë dëshmi se si organizmat ndërkombëtare, institucionet qëndrore e ato vendore, pushteti gjyqësor dhe familja si njësi bazë e shoqërisë dështojnë në përditshmëri. Por pikërisht atëherë kur mendon se dështimi ka arritur kulmin…rasti ‘Xhensila’ kalon çdo hamendësim.

26 shtatori 2018 është prova se si dashuria, respekti por edhe ndjeshmëria për vajzën, gruan ka humbur çdo nocion.

26 shtatori 2018 është prova se poshtërimi dhe dhimbja arrijnë deri aty ku kufiri ndërrmjet jetës dhe vdekjes nuk ka më rendësi.

26 shtatori 2018 është prova se dhuna nuk njeh kufi moral, social, ekonomik dhe politik.

26 shtatori 2018 është prova se si i përgjegjshmi konsiderohet kriminel dhe kriminalizohen institucionet. Ky rast është shembulli se si krimi ushqen dhe dikton çdo qelizë. Edhe kur dhuna nuk njeh limit.

26 shtatori 2018 është dita kur së bashku duhet të pranojmë që faji më i madh është i të gjithëve ne. Kur institucionet, politika janë vetë agresori, ne jemi në çdo aspekt ‘Xhensila’ e rradhës dhe heshtja është vetëvrasje.

26 shtatori 2018 është prova se ku shkon shoqëria kur ne zgjedhim të heshtim dhe të mos luftojmë. Sepse heshtja jonë është mbase shkaku që ngjarje të tilla ndodhin, shtohen dhe përkeqësohen. Kur heshtja bëhet zgjedhje e parë e shoqërisë, pesha e saj është e barabartë me vetë krimin. Dhe në rastin më të mirë, me heshtjen tonë ne legjitimojmë këtë pushtet.

Sfida sigurisht është e madhe. Por, sot çdokush ka një arsye më pak për të justifikuar heshtjen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>