Hidrocentrali i Skavicës do të ndërtohet me fonde të qeverisë amerikane. Lajmi u njoftua nga vetë kryeministri Rama, të premten, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët Kosovë-Serbi.
Në maj 2020, Kryeministri u shpreh se ky hidrocentral do të ndërtohej me fonde të vetë qeverisë shqiptare.
Hidrocentrali i Skavicës është vepra energjitike më strategjike në vend dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë me rreth 7 miliardë m3 ujë – duke u bërë rezervuari më i madh në Europë.
HEC Skavica nuk është një HEC normal (pasi fuqia e tij gjeneruese është më e vogël se e Fjerzës dhe Komanit), por është një rezervuar ujor strategjik kombëtar, 3 herë më i madh se Fierza ose 2 herë më shumë se e gjithë kaskada e Drinit.
Qeveria ka hapur disa herë tenderin për ndërtimin e Skavicës, por ka dështuar të finalizojë një kontratë dhe është akuzuar disa herë për klientelizëm e korrupsion.
Siç Exit News ka shkruar më parë, për hidrocentralin e Skavicës kanë ekzistuar tre projekt-ide. Dy variantet e para parashikojnë ndërtimin e një hidrocentrali të vetëm me kapacitet 450 MË ose 350 MË dhe liqen respektivisht sa dyfishi i atij të Fierzës dhe afërsisht sa ai i Fierzës. Varianti i parë kërkon marrëveshje me Maqedoninë, pasi liqeni duhet të shtrihet edhe në territorin maqedonas. Varianti i tretë parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve me kapacitet në total nën 200 MË dhe një liqen relativisht të vogël, që nuk kryen dot funksionin rregullator të kaskadës së Drinit.
Nuk dihet ende se kë variant do të zgjedhë të financojnë ShBA-të, apo nëse kanë ndonjë plan të ri.