Himarë, arbitrariteti dhe klientelizmi qeveritar sollën revoltë shoqërore

Himarë, arbitrariteti dhe klientelizmi qeveritar sollën revoltë shoqërore

Brukseli po ushtron trysni direkte ndaj qeverisë Rama për të ndërprerë planet urbane në Himarë dhe për t’i ribërë të gjitha procedurat në përputhje me ligjin. Reagimi i BE-së erdhi pasi banorët e Himarës të prekur nga prishja e 19 banesave në kuadër të ndërtimit të bulevardit të ri dhe qeveria greke ngritën alarmin për shkeljen e të drejtave të tyre.

Duke lënë mënjanë tonet etnike të diskutimit dhe përpjekjen për të politizuar më tej debatin, shpronësimi i 19 shtëpive është një pjesë e vogël, por në të njëjtën kohë një ilustrim i mënyrës se si masterplani i përgjithshëm dhe “rikualifikimi urban” të nisura nga qeveria shqiptare në kuadrin e reformës territoriale janë shpesh në kundërshti me të drejtat e pronësisë dhe Konventën e Aarhusit.

Konkursi i Rivierës Loti 2

Projekti i parë urban është konkursi për Rivierën i organizuar nga Atelier Albania, me urdhër të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe zyrës së Kryeministrit. Konkursi u shpall më 1 tetor 2014 si konkurs ndërkombëtar, i ndarë në tre lote. dQëllimi ishte i formuluar si më poshtë:

Qëllimi i konkursit është të prodhojë ide, të cilat do të çojnë në përmirësimin e projekteve të detajuara për përmirësimin urban, si edhe ndërhyrjet publike dhe/ose private. Kjo do të ndihmojë çdo zonë të zhvillojë një identitet më të mirë ndërsa në të njëjtën kohë do të përmirësojë lidhjet dhe ndërveprimet e zonës me rrethinat e saj.

Konkursi për Lotin 2 e Konkursit të Rivierës, duke përfshirë Himarën, me zgjatim nga Plazhi i Palasës në Plazhin e Lukovës, u fitua nga firma arkitekturore belge Bas Smets, SON–GROUP, dhe artisti Vadim Vosters. Plani i tyre, i cili në mënyrë të qartë propozon të “përfshijë vendasit dhe banorët” në procesin e projektimit, nuk përfshin asnjë referim specifik për një bulevard në Himarë dhe nuk detyron prishjen e shtëpive.

Plani fitues vazhdon të mbetet i paqartë në detaje, pjesërisht sepse kërkesat e konkursit kërkonin propozime për të “shtyrë kufijtë e krijimtarisë, ndërsa i përshtatet kontekstit, dhe për të vendosur standarde të larta projektimi.”

Sidoqoftë, në propozim janë përfshirë disa imazhe që përmbajnë ndërhyrje të “artit të zbatuar të terrenit” përgjatë vijës bregdetare.

himara-1
Burimi: Studio Bas Smets, Riviera Lot 2.
himara-2
Burimi: Studio Bas Smets, Riviera Lot 2.
himara-3
Burimi: Studio Bas Smets, Riviera Lot 2.

Masterplani Kombëtar Loti 6

Projekti i dytë i planifikimit urban, i cili është i lidhur me gjendjen në Himarë është seria e masterplaneve rajonale të projektuara me kërkesë të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit në kuadër të reformës kombëtare territoriale, e cila uli në mënyrë drastike numrin e bashkive. Masterplani kombëtar e ndan në dhjetë lote rajonale, të cilat u publikuan në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve në 10 gusht 2015. Loti 6 përmblodhi bashkitë e Vlorës, Himarës, Sarandës dhe Konispolit, dhe kishte një buxhet maksimal prej rreth 77 milionë lekë (rreth 560 mijë euro) nga buxheti i shtetit.

Vendimi i konkurrimit u njoftua vetëm në 29 mars 2016, disa muaj pasi ishin shpallur fituesit e të gjithë loteve të tjera. Fitues doli një bashkim i Dea Group shpk dhe Thymio Papayannis Associates SA me ofertë rreth 62 milionë lekë.

Mesa duket shkaku i shtyrjes së shpalljes ishte një ankesë e bërë nga dy kompanitë fituese, më 27 nëntor 2015 dhe bashkimi i C.E.C Group dhe ERAL-G në janar 22, 2016, e cila jo vetëm kishte bërë një ofertë gjysmë milionë lek më pak se sa oferta fituese, por gjithashtu kishte fituar edhe pikët maksimale në propozimin teknik (89.14 krahasuar 75.14 e bashkimit të kompanive fituese). Baza faktike për zgjedhjen e Dea Group deri më tani mbetet e paqartë, pasi propozimet e pjesëmarrësve në konkurrim nuk janë bërë publike.

Shëtitorja e Himarës

Paralel me zhvillimin e Masterplanit Rajonal për Vlorën, Himarën, Sarandën dhe Konispolin, Fondi i Zhvillimit të Shqipërisë (FZhSh)—një agjenci qeveritare që kontrollohet nga Këshilli i Ministrave—hapi një tender për ndërtimin e shëtitores së Himarës në 31 gusht 2015 me buxhetin maksimal prej 217,996,613 lekë (rreth 1,6 milionë euro).

Ky tender u bazua në një vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, i kryesuar nga Kryeministri Rama, në lidhje me “rehabilitimin e segmentit qendror të bregdetit të Himarës.”

Projekti i shëtitores pretendohet se bazohet në propozimin fitues të kompanisë belge Bart Smets. Sidoqoftë, hartat bashkangjitur vendimit të KKT-së tregojnë qartë një shëtitore të përbërë nga një masiv betoni i zgjatur drejt bregdetit, me shkallë zbritëse për në det. Asnjë nga këto nuk duken të kenë qenë pjesë e propozimit fitues të Konkursit Riviera Lot 2, i cili ndërkohë flet për “ndërhyrjeve artistike të zbatuara në terren”, dhe jo për zona masive betoni për këmbësorët, përpara një muri masiv ( të ndritshëm) të projekteve të ndërtimit të së ardhmes.

Pyetja që ne ngremë është: Pse qeveria shqiptare shpenzoi 85 mijë euro për një projekt fitues kur në të vërtet nuk i përdori idetë e këtij plani?

300-2

Në 20 tetor 2016, Fusha shpk, një kompani ndërtimi e afërt me qeverinë Rama, u shpall fituese automatike, me një ofertë prej rreth 194 milionë lekë (rreth 1,4 milionë euro), më e larta nga tre ofertat e tjera të vlefshme.

Të gjashtë kompanitë e tjera pjesëmarrëse në tender u skualifikuan ose dështuan të paraqisnin një buxhet të plotë.

Kjo situatë është një ripërsëritje e asaj të tenderit të zhvilluar për fazën e parë të ndërtimit të Sheshit “Skënderbej”, ku gjithashtu u shpall fituese Fusha shpk.

Si për çdo projekt ndërtimi, ndërtimi i shëtitores së Himarës u shoqërua me një tender për supervizimin e punimeve. Ky tender u shpall më 21 shtator 2015, u anullua më 16 nëntor dhe u rishpall sërish më 2 nëntor të të njejtit vit. I njëjti tender u shpall për herë të tretë më 23 nëntor dhe u anulua sërish për arsye të “problemeve me portalin online të prokurimeve publike”. Më në fund, tenderi u fitua nga firma Taulant shpk—fituesi u shpall më 28 dhjetor. Kontrata me të u firmos vetëm më 18 janar 2016, dhe një javë më vonë, filluan të shemben ndërtesat e para nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

***

Që kur se qeveria firmosi kontratën e saj me kompaninë Fusha shpk, ndërtimi i shëtitores ka shkaktuar trazira shoqërore në Himarë që kulmuan me protestat e ditëve të fundit, në të cilat u përfshi edhe qeveria greke.

Pavarësisht nga dëmi që protestat—dhe përgjigjja sfiduese e qeverisë shqiptare ndaj tyre—mund t’i sjellin marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe anëtarësimit të saj në BE, Himara është një rast studimor se si paratë publike keqshpenzohen në projekte infrastrukturore që më shumë se çdo gjë tjetër krijojnë tensione shoqërore.

Së pari, plani i mundshëm i shëtitores së Himarës, në vend që të zhvillohet saktësisht në kuadrin e konkursit të Rivierës, duket se nuk ka asnjë lidhje direkte me asnjë nga idetë apo sugjerimet e propozuara nga Burea Bas Smets. Për një konkurs—i cili ishte supozuar të prodhonte “ide të reja” dhe të vendoste ”standarde të larta projektimi”—ndikimi i tij ka qenë i papërfillshëm në procesin vendimmarrës të qeverisë.

Së dyti, procedurat e zvarritura që rrethojnë Lotin 6 të Masterplanit Kombëtar, i tenderuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, tregon se në lojë ka qenë më shumë se konkurrenca e tregut. Mospërputhja midis informacionit të njohur publikisht (vlerësimi teknik dhe buxheti i propozuar) dhe informacionit që mbetet i pa bërë publik nga qeveria është e dyshimtë.

Së treti, procedurat e tenderit për shëtitoren e Himarës, sipas të cilave u shpall fituese kompania Fusha shpk sërish ngre disa pyetje. Këtu duhet të vihet në dukje se disa nga anëtarët e jurisë të konkursit Riviera janë njëkohësisht të përfshirë në projektin e rindërtimit të Sheshit “Skënderbej” – gjithashtu e fituar nga Fusha shpk.

Anëtarët e jurisë Johan Anrys dhe Freek Persyn janë të dy themelues të firmës arkitekturore 51N4E, e cila ka projektuar së bashku Anri Salën, mikun e ngushtë të Edi Ramës, rindërtimin e Sheshit Skënderbej.

Një anëtar tjetër është Artan Shkreli, Këshilltari i Edi Ramës për territorin, i cili është i përfshirë në këtë kapacitet në projektin e Sheshit Skënderbej dhe çdo projekt tjetër të qeverisë në këtë fushë. Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban ishte, gjithashtu, anëtare jurie.

Pra, katër nga shtatë anëtarët e jurisë të cilët përzgjodhën projektin fitues për Lotin 2 të konkursit të Rivierës, ndërtimi i të cilit u fitua nga Fusha shpk, po punojnë, gjithashtu, me Fusha shpk për qendrën e Tiranës.

Mbetet enigmë logjika me të cilën në juri janë zgjedhur anëtarë dy partnerë të së njëjtës firmë projektimi (e cila në të shkuarën është akuzuar nga autoritetet belge për korrupsion me tenderat në Shqipëri).

Së fundmi, duhet theksuar se të gjitha këto procedura janë bërë në shkelje të ligjeve më të rëndësishme në vend. Është e qartë nga kundërshtimi i banorëve se ata nuk janë përshirë në vendim-marrje dhe as nuk janë informuar më parë për projektin. Kjo gjë është shkelje e hapur të Konventës Aarhus, e cila ka përparësi edhe mbi Kushtetutën tonë.

Nëse Konventa Aarhus do të ishte zbatuar, qytetarët duhet të ishin informuar dhe përshirë në vendim-marrje, si në procesin e hartimit të secilit prej planeve të mësipërme, ashtu edhe në procedurën e marrjes së lejes së ndërtimit nga Fusha shpk.

Nga ana tjetër, urdhri i nxjerrjes jashtë të banorëve dhe i prishjes së shtëpive të tyre brenda pesë ditësh, pa kryer më parë procedurat e shpronësimit të tyre është shkelje e hapur e ligjit dhe mbi të gjitha e të drejtave të tyre bazë.

Ata çfarë kanë të përbashkët të gjitha këto pika kritike janë si më poshtë: Mungesa e transparencës së qeverisë në vendim-marrje dhe shpenzimet publike çojnë në betonizim dhe projekte të papërshtatshme, në shpërdorim të burimeve publike dhe, sikurse shihet në Himarë, mund të sjellin shqetësime serioze shoqërore.

Asnjë nga këto nuk është e nevojshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>