Hipokrizia e Kryeministrit Rama në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit

Hipokrizia e Kryeministrit Rama në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit

Kryeministri Rama sot në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit publikoi në Facebook foto të malit të Goricës në Berat për të treguar punën e qeverisë në mbrojtje të mjedisit.

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Mjedisit, Shqipëria zgjohet me një bilanc tërësisht të përmbysur sa i përket trajtimit të mjedisit, pyjeve dhe sipërfaqeve të gjelbërta”, shkruan Kreyministri përkrah fotove.

Postimi i Kryeministrit Rama në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit

Por ndryshe nga çfarë pretendon kryeministri, gjatë katër viteve të Qeverisë Rama-Meta, mjedisi jo vetëm që nuk ka qenë në fokus të politikave të qeverisë, por përkundrazi ka qenë viktimë e vendimeve që kanë shkatërruar dhe do të shkatërrojnë mjedisin në të ardhmen.

Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë

Tre vjet më parë, kur qeveria e re shqiptare sapo kishte siguruar një mandat 4-vjeçar, kompania Mabetex nuk vonoi të prezantonte projektin e tij: ndërtimin e një resortit të madh turistik që do të shkatërrojë në mënyrë të patjetërsueshme 1170 hektarë tokë në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë.

Kundër ndërtimit te këtij resorti janë ngritur organizatat ndërkombëtare mjedisoreorganizata ambientaliste shqiptare, si dhe qytetarë të thjeshtë , të cilët po përpiqen të ndalojnë shkatërrimin e Lagunës nga ndërtuesit klientelistë.

Përveç ndikimit të drejtëpërdrejtë në shkatërrimin e biodiversitetit, ndërtimi i resorit brenda parkut shkel ligjin për zonat e mbrojtura.

Lejimi i ndërtimit të një kompleksi të tillë, do t’i hapë rrugën shkatërrimit të Parqeve të tjera Kombëtare në vend, pasi për çdo investitor në fushën e turizmit, vendet më të kërkuara janë pikërisht zonat e mbrojtura

Lugina e Lumit Vjosa

Një tjetër zonë që po shkatërrohet me vendim të qeverisë është Lugina e Lumit Vjosa, ku qeveria ka planifikuar ndërtimin e disa hidrocentraleve në degët e lumit.

Si në rastin e Lagunës së Karavastasë, dhe për Vjosën ekspertë të organizatave evropiane ambientaliste kanë reagur kundër vendimeve të qeverisë. Ata shprehen se ndërtimet e hidrocentraleve në  lumin e Vjosës janë të paligjshme. Qeveria nuk ka bërë studimet dhe vlerësimet e thelluara të ndikimit në mjedis siç parashikohet në ligj, si dhe nuk ka përfshirë qytetarët në procesin e vendimmarrjes të parashikuar në konventat ndërkombëtare.

Po ashtu, Parlamenti Evropian i ka bërë disa herë thirrje qeverisë Rama të tërhiqet nga ndërtimi i hidrocentraleve mbi Vjosë dhe të investojë për rigjallërimin e parkut.

Duke përjashtuar disa lumenj në Rusi, lumi Vjosa është lumi i fundit i egër në Europë dhe rigjallërimi i parkut të Vjosës do të krijonte Parkun e parë të një lumi të këtij lloji në Europë. Por kjo mesa duket, nuk do të ndodhë pasi qeveria nuk po jep asnjë shenjë tërheqje nga plani i saj për të ndërtuar hidrocentrale në Vjosë.

Lugina e Valbonës

11 hidrocentrale janë planifikuar për tu ndërtuar përgjatë lumit të Valbonës në Luginën e Valbonës, ç’ka do të thotë betonizim e shkatërrim të florës e faunës së zonës dhe shkatërrimin e një prej pikave turistike më të vizituara nga turistë vendas e të huaj.

Punimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë

Pothuaj të gjitha familjet që jetojnë pranë luginës së Valbonës kanë investuar në aktivitete lidhur me turizmin. Për ta, ndërtimi i hidrocentraleve do të thotë humbja e bizneseve dhe të ardhurave.

Jo vetëm banorët, por dhe qindra ambientalistë e artistë kanë protestuar kundër shkatërrimit të Luginës së Valbonës, e shpallur Park Kombëtar që në vitin 1996.

Parku i Liqenit Artificial në Tiranë

Betonizimi i Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë është një tjetër vepër e mbështetur fuqimisht nga Kryeministri Rama, ndërtuar nga një prej njerëzve më të afërt të tij, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Betonizimi i Parkut të Liqenit, Tiranë

Përveç masakrës ndaj të vetmit park të mbetur në Tiranë, projekti i bashkisë për ndërtimin e një këndi lojrash shkelte ligjin dhe Konventën e Aarhusit për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje në rast të projekteve me ndikim kaq të madh në mjedis.

Dhjetra aktivistë e ambientalistë, përveç protestave të shumta, nga shkurti deri më 1 qershor, ditë kur dhe u inaugurua këndi, kaluan ditët dhe netët tek Parku i Liqenit.

Përveç protestave të vazhdueshme të qytetarëve, edhe 11 organizata mjedisore të Tiranës i kërkuan Bashkisë të pezullojë punimet dhe në rast se planifikon ndërtime në park, të bëjë transparencë dhe të respektojë ligjet, por asnjë nga thirrjet e qytetarëve dhe ambientalistëve nuk u dëgjua nga kryebashkiaku Veliaj.

Ligji i importit të mbetjeve

Si të mos mjaftojë masakra me beton ndaj mjedisit, Kryeministri Rama, në korrik 2016, riktheu bujshëm në parlament projektligjin për importin e mbetjeve në vend, të njëjtin projektligj që kundërshtoi gjatë kohës kur ishte në opozitë.

Kthimi i ligjit të importit të plehrave ishte një nga vendimet e para, simbolikë se Rama do të mbante premtimet e fushatës, që qeveria mori me ardhjen në pushtet.

Ligji që do të lejojë importimin, përpunimin, djegien dhe groposjen e plehrave në Shqipëri është kundërshtuar gjithnjë nga qytetarët, si në rastin kur u propozua nga Qeveria Berisha, ashtu dhe kur u rikthye në kuvend nga Qeveria Rama.

Projektligji është ende në axhendën e Kuvendit dhe nëse Kryeministri Rama do të fitojë një mandat të dytë, me siguri do të votohet nga kuvendi i ri.

Të gjitha këto vendime të Qeverisë Rama e shumë të tjera kanë bërë që Shqipëria të renditet e parafundit në Evropë dhe mes vendeve të botës tretë për cilësinë e mjedisit, ajrit dhe përpjekjeve të qeverisë dhe shtetit për ruajtjen e mjedisit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>