Pas 3 dorëheqjesh në më pak se tre muaj, hipoteka e Vlorës do të drejtohet nga Taulant Cenameti, i cili do të jetë drejtori i 9-të që merr përsipër të rregullojë çështjet e pronave në Vlorë që prej vitit 2013.
Më parë Cenameti qe zëvendës drejtor dhe aktualisht është i paditur për shpërdorim detyre. Lëvizja e tij erdhi pas dorëheqjes së drejtoreshës Elona Hodaj, e cila ishte në këtë post prej një muaji.
Dorëheqjet e vazhdueshme të titullarëve të hipotekës në Vlorë kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik pasi kanë nxjerrë në pah problemet me pronat.
Më 11 shtator policia tha se kishte vënë në hetim 23 punonjës të hipotekës për shpërdorim detyre, ndërsa më parë qe raportuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte nisur auditimin e punës së 4 viteve të fundit në hipotekë.
Duke folur sot nga Elbasani, Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, paraljmëroi se një situatë e ngjashme me Vlorën mund të ndodhë edhe me rrethet e tjera. Këtë ai e tha duke nënkuptuar se lëvizjet në Vlorë ishin rezultat i ndërhyrjes për të larguar personat që nuk zbatojnë ligjin nga zyrat e pasurive të paluajtshme:
Probleme si në Kadastrën e Vlorës do të dëgjoni edhe në qytete të tjera. I vetmi ndryshim në Vlorë është se nuk gjen një njeri me emrin ‘Durim’. Në Vlorë njerëzit janë më të padurueshëm se të tjerët.
Në 6 vitet e fundit hipoteka e Vlorës është drejtuar nga:
- Elona Hodaj, shtator 2019-tetor 2019 (më pak se 1 muaj)
- Alteo Nazëraj, shtator 2019-shtator 2019 (10 ditë)
- Florian Almadhi, maj 2019-shtator 2019 (5 muaj)
- Klodian Troci, korrik 2018–shtator 2019 (në maj qe kaluar nëndrejtor, 1 vit e 2 muaj)
- Sokol Banaj, janar 2018–korrik 2018 (6 muaj)
- Rezart Elmazi, tetor 2015-korrik 2017 (1 vit e 10 muaj)
- Loreta Alushi Tozaj, dhjetor 2014-tetor 2015 (10 muaj)
- Ina Luçi, tetor 2013-dhjetor 2014 (14 muaj)
Shpesh disa prej drejtuesve të hipotekës janë përballur me kërcënime. Në nëntor 2018, vëllait të ish-drejtoreshës Loreta Alushi Tozaj, iu bë atentat me tritol. Ndërsa në tetor 2014, persona të paidentifikuar dogjën makinën e ish-drejtoreshès Ina Luçit. Ngjarja ndodhi pasi Luçi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kishte paditur 8 persona për përvetësim me falsifikim dokumentash të 77 hektarëve tokë.
Dorëheqjet e fundit të muajit shtator-tetor, mediat i kanë lidhur me çështjen e pronësisë së një zone në plazhin e Jalit, atje ku qeveria i ka dhënë kompanisë Soleil & Sea leje për ndërtimin e 3 komplekseve hotelerie si investim strategjik.
Pretendimi i pronësisë nga familja e Kristo Gjokës ka bërë që ndërtimi të bllokohet. Për këtë çështje ka patur disa vendime gjykatash, zbatimi dhe mos-zbatimi i të cilave ka përfshirë një pjesë të zyrtarëve të hipotekës së Vlorës në shpërdorim detyre. Vetë drejtori i ri i hipotekës, Taulant Cenameti, është paditur nga familja Gjoka si i përfshirë në këtë çështje.
Resortet turistike janë mbështetur nga qeveria si investime strategjike, për të cilat, prej vitit 2015, janë parashikuar me ligj lehtësime dhe përparësi për konsolidim të titujve të pronësisë, që do të thotë se një investitor strategjik mund të ndërtojë më lehtë se një individ apo biznes i zakonshëm.
Tre vite më parë gazetarja Lindita Çela raportoi se një pjesë e këtyre investimeve strategjike po ngrihej në prona të grabitura apo të kontestuara. Çështjet e kontestimeve për pronat në Vlorë kanë qenë të vazhdueshme. Vitin e shkuar u raportua se në gjykata kishte 403 padi për çështje të tilla.